Garancia Sovrane II/ 154 biznese aplikuan për një fond rreth 5 miliardë e 93 milionë lekësh, të aprovuar mbi 50% prej tyre

TIRANE, 18 korrik/ATSH/ 154 sipërmarrje në të gjithë vendin kanë aplikuar pranë bankave të nivelit të dytë për të përfituar fonde nga instrumenti i Garancisë Financiare II që lëshoi qeveria shqiptare për kapital qarkullues dhe investime, për të përballuar situatën në të cilën u ndodhën këto kompani, për shkak të pandemisë së COVID-19.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj shprehet se “për nevojat e sipërmarrjes në procesin e rimëkëmbjes, vazhdon të zbatohet Garancia e Dytë Sovrane nga Qeveria Shqiptare së bashku me bankat e nivelit të dytë”

Denaj thekson se “deri më sot bizneset kanë aplikuar për një fond rreth 5 miliardë e 93 milionë lekësh dhe janë aprovuar mbi 50% e aplikimeve nga bizneset”.

Konkretisht, deri më datë 13 korrik, kanë aplikuar 154 sipërmarrje ndërsa u është aprovuar  84 prej tyre.

Avantazhet e kredisë me Garanci Sovrane janë kushtet preferenciale të financimit, interes që nuk do të kalojë asnjëherë normën 5%, periudhë pa shlyerje të principalit prej 6 muajsh, garanci 60% nga shteti shqiptar për kolateral si dhe periudhë shlyerjeje 5 vjeçare.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.