TURQI – COVID-19 ul me tre trilionë dollarë investimet në turizëm në 2020

STAMBOLL, 17 korrik /ATSH-AA/ – Investimet në turizëm kanë rënë me tre trilionë dollarë në të gjithë botën në vitin 2020 për shkak të pandemisë së COVID-19, bëri të ditur Instituti i Forumit Botëror të Turizmit.

“Shifrat kanë rënë në dy trilionë dollarë nga pesë trilionë dollarë në vit”, theksoi Bulut Bagci, drejtues i institutit. Ai tha se pandemia shkaktoi humbje mbi 80% në sektorin e turizmit.

Koronavirusi i ri i cili u shfaq në Kinë dhjetorin e kaluar dhe është përhapur në të gjithë botën duke shkaktuar probleme të rënda ekonomike dhe duke prekur veçanërisht sektorët e udhëtimit dhe turizmit.

Bagci tha se ekonomitë e shumë vendeve mbështeten në turizëm dhe kjo prek direkt qindra sektorë.

Nëse gjendet vaksina ose përfundon pandemia, viti 2021 do të jetë i gatshëm për investime në sektorin e turizmit.

Ai tha se pret investime me vlerë prej shtatë deri në tetë trilionë dollarë.

Bagci theksoi se SHBA është investitori më i madh në sektorin e turizmit, i ndjekur nga Kina, Franca, Gjermania dhe Spanja.

“Turqia hyri në këtë fushë në vitin 1983 dhe lulëzoi në vitet 2000. Ka pasur investime shumë të mira në turizëm, objektet tona janë kaq të reja”, shtoi ai.

Sipas tij, SHBA është gjithashtu vendi i parë me 230 miliardë dollarë të ardhura nga turizmi, e ndjekur nga Spanja (75 miliardë dollarë), Franca (70 miliardë dollarë) Tajlanda dhe Mbretëria e Bashkuar (të dyja 65 miliardë dollarë).

“Të ardhurat e Turqisë nga turizmi ishin 34,5 miliardë dollarë vitin e kaluar me 44.7 milionë vizitorë, një rritje trefish nga viti 2002”, rikujton ai./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.