POLONI – Trzaskowski njofton krijimin e një lëvizjeje qytetare

VARSHAVË, 17 korrik /ATSH-AFP/ – Kryetari liberal i Bashkisë së Varshavës, Rafal Trzaskowski, i cili humbi ngushtësisht zgjedhjet presidenciale më 12 korrik, njoftoi sot krijimin e një lëvizjeje të gjerë qytetare në favor të një Polonie “tolerante dhe europiane”, gjatë një tubimi paszgjedhor.

Kreu i shtetit në largim, Andrzej Duda, i mbështetur nga partia konservatore nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PiS, në fuqi), fitoi me 51% të votave kundër Trzaskowskit.

Forca kryesore e opozitës, Platforma Qytetare (PO, qendër), në të cilën Trzaskowski është një nga zëvendëspresidentët, njoftoi dje se kishte paraqitur një ankesë në Gjykatën Supreme në përpjekje për të marrë pavlefshmërinë e zgjedhjeve, që sipas saj, nuk ishin as të drejta dhe as të ndershme.

Platforma Qytetare sinjalizoi shumë parregullsi në zgjedhje dhe akuzoi për njëanshmëri televizionin publik dhe aparatin shtetëror të kontrolluar nga PiS.

“Ne nuk mund të heqim dorë (…) Prandaj, unë marr përsipër krijimin e një lëvizjeje të qytetarëve sepse partitë politike nuk do të jenë më të mjaftueshme”, theksoi Trzaskowski para një turme të mbledhur në qendër të qytetit.

Kryetari i Bashkisë së Varshavës ftoi të gjithë t’i bashkohen kësaj lëvizjeje, baza e së cilës do të përbëhet nga pushtetet lokale dhe OJQ-të. Ai premtoi se do të zbulonte më shumë detaje deri në fund të korrikut./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.