Përmirësohet rendi dhe siguria/ Në 6-mujorin e parë të 2020, 58 jetë të shpëtuara më shumë se në vitin 2013 nga aksidentet

TIRANË, 17 korrik/ATSH- A. Fortuzi/ Rendi dhe Siguria janë në përmirësim në vendin tonë. Statistikat e publikuara nga Ministria e Brendshme tregojnë se gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2020 janë shënuar 34 vrasje më pak se në vitin 2013.

Sipas statistikave për gjashtë muajt e parë të vitit 2020 janë regjistruar 4 vrasje më pak se në vitin 2019 dhe akoma më tej, 34 vrasje më pak se në vitin jo shumë të largët 2013. Në shifra reale, rezulton se janë 23 vrasje të regjistruara këtë vit, 27 në vitin 2019 dhe 57 në vitin 2013.

Shifrat pozitive janë dhe në drejtim të plagosjeve. Sipas këtyre shifrave të publikuara nga Ministria e Brendshme mësohet se gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2020 janë regjistruar 6 plagosje më pak se një vit më parë dhe akoma më tej, 16 plagosje më pak se në vitin 2013. Në shifra reale, këtë vit janë regjistruar 64 plagosje të rënda, 70 të tilla në vitin 2019 dhe 80 plagosje të rënda në vitin 2013.

Gjithashtu dhe sa i takon aksidenteve me pasojë humbjen e jetës, shifrat janë tejet pozitive. 28 jetë të shpëtuara më shumë nga aksidentet rrugore se në 2019 dhe 58 jetë të shpëtuara më shumë se në vitin 2013. Konkretisht në gjashtë mujorin e parë të vitit 2020 u regjistruan 74 të vrarë nga aksidentet rrugore, një vit më parë kjo shifër ishte 102 dhe në vitin e largët 2013 shifra ishte 132. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.