FOTO/ Vepra teatrore “Jul Cezari” në Memorialin e Skënderbeut në Lezhë, mirëpritet nga publiku

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” shfaqi në fundjavë për publikun e Lezhës veprën teatrore “Jul Cezari” në Memorialin e Skënderbeut.

Kjo shfaqje, e vënë në skenë nga regjisori i njohur kroat Ivica Buljan, u duartrokit gjatë nga publiku i pranishëm.

Në këtë shfaqje interpretojnë aktorët Romir Zalla, Alfred Trebicka, Vin Bejleri, Amos Muji Zaharia, Gentian Zenelaj, Ermira Hysaj, Ilirda Bejleri, Adriana Tolka, Klejdi Metaj, Mateo Dervishaj, Endri Çela, Engjëll Hoxha, Enea Nika, Paolo Kadillari, Anxhelo Shkreli.

Tragjedia e “Jul Cezarit” është njëra prej disa veprave dramatike të Shekspirit, që bazohen në ngjarje të vërteta nga historia romake dhe që përfshijnë edhe Koriolanus dhe Antoni dhe Kleopatra. Edhe pse vepra titullohet “Jul Cezari”, Bruti flet në më shumë se katër herë po aq rreshta sa karakteri kryesor dhe drama psikologjike qendrore e pjesës fokusohet mbi betejën e Brutit mes kërkesave konfliktuale të nderit, patriotizmit dhe miqësisë.

Shfaqjet e regjisorit Ivica Buljan kanë qenë pjesëmarrëse në më shumë se 30 vende të ndryshme.

Turi i shfaqjes së veprës teatrore “Jul Cezari” do të vazhdojë në qytete të tjera të Shqipërisë si Berat, Himarë dhe Butrint./k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.