Finalizimi i marrëveshjes në Tiranë/ Cakaj: Bujanoci do të qeveriset drejt nga shqiptarët

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj përshëndeti sot marrëveshjen për bashkëqeverisje të arritur nga partitë politike shqiptare në Bujanoc.

Kjo, sipas Cakajt, është arritja më domethënëse që kanë shënuar bashkërisht në Luginë. Ai tha se “nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, Bujanoci do të qeveriset drejt nga shqiptarët e nuk do të varet nga askush tjetër, përveç shumicës shqiptare”.

“Personalisht i detyrohem një falënderim të posaçëm Nagip Arifi, Shaip Kamberi, Shqiprim Musliu e Arbër Pajaziti që i qëndruan fjalës së dhënë në mbledhjen e djeshme në Tiranë duke arritur këtë marrëveshje që është jetike për Bujanocin e shqiptarët e Luginës”, theksoi Cakaj.

Gjithashtu, Cakaj shprehu gatishmërinë e plot për të vazhduar punën e pakursyer në shërbim të mbështetjes së Luginës e të gjithë shqiptarëve./m.m/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.