COVID-19/ Barriera mbrojtëse e krijuar në kushte shtëpie shpëton jetë, e thjeshtë dhe pa kosto

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Çdo barrierë mbrojtëse e krijuar në kushte shtëpie mund të përdoret në ambientet e mbyllura.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka publikuar një video ku shpjegohet mënyra sesi mund të krijohet nga shtëpia, brenda pak minutash dhe pa asnjë kosto, një maskë mbrojtëse ndaj COVID-19.

“Çdo barrierë mbrojtëse e krijuar në kushte shtëpie mund të përdoret në ambientet e mbyllura. Ja një mënyrë e thjeshtë dhe pa kosto”, shprehet ministrja duke publikuar një video ilustruese sesi mund të bëhet një barrierë mbrojtëse në shtëpi.

“Nëse doni të mbroheni nga koronavirusi, me stil, pa u mërzitur dhe pa u shpenzuar ka shumë mënyra për ta bërë atë. Një copë çfarëdo që mund të shërbente si një maskë tejet e vlefshme. Bëni mirë ta vijëzoni përpara, në formën që doni që të jetë maska. Shumë thjeshtë, në 2 minuta pa shpenzuar kohë dhe para, do të ndjeheni i mbrojtur dhe i veçantë. Këtu bëjmë hapjen për futjen për të futur veshin. Edhe maskën e kemi gati. Sigurisht që duhet të sigurohemi që të na mbulojë hundën dhe gojë. Shumë e lehtë, shumë e thjeshtë. Më pëlqen”, shprehet qytetarja, e cila shpjegon bërjen e maskës në kushte shtëpie në videon shpjeguese të publikuar nga Manastirliu.

Të mërkurën e kësaj jave, Këshilli i Ministrave vendosi mbajtjen e maskës në mënyrë të detyrueshme në ambientet e mbyllura.  z.tosku//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.