Standarde europiane në furnizimin me ujë të pijshëm/ Balluku: Brenda vitit 2021, 55 zona urbane në 61 bashki të vendit me infrastrukturën e duhur

 

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku nga ceremonia e përurimit të impiantit të ri në Bovillë deklaroi se ky investim prej 10 milionë eurosh do të përmirësojë jetën e 650 mijë banorëve të qytetit të Tiranës.

“Kjo është një ditë ku ne tregojmë që i mbajmë premtimet. Në prill të vitit të kaluar kemi qenë në digën e Bovillës për të inauguruar punimet për të sjellë atë dyfshimin, atë tubin që nuk e kishim parë më parë, që do të zëvendësojë tubat e gizës, tubat e ngushtë dhe atje mbaj mend që në fjalën time kam thënë që ky projekt do të mbarojë para afatit. Kemi mbaruar para afatit”, u shpreh Balluku.

“Afati ka qenë fundi i gushtit 2020. Kemi mbaruar një muaj e gjysmë më parë. Tashmë gara është me kohën dhe me veten tonë. Ne nuk kemi garues të tjerë fatkeqësisht, pasi siç e dini ne jemi qeveria e ndërtimit. Ne ndërtojmë ujësjellës, rrugë, ndërtojmë konvikte, shkolla, banesa që i hedh tërmeti, ne ndërtojmë të ardhmen. Ndërkohë që nga ana tjetër kemi gjithmonë atë grupin e shkatërrimit që vazhdon me historinë që këto që po ndërtojnë këta sot, do t’i shkatërrojmë ne nesër, dhe unë vazhdoj me pyetjen time dhe nuk arrij dot të kuptoj sesi një alternativë tjetër e re mund të jetë ajo e shkatërrimit”, tha Balluku.

“Ky investim prej 10 milionë eurosh do të përmirësojë jetën e 650 mijë banorëve të qytetit të Tiranës. Duke filluar nga sot, të gjitha ato shqetësimet që patëm së bashku në rrugët e Tiranës me kanalizimet e reja dhe gjithçka tjetër, marrin fund por sigurisht që puna nuk do të ndalet dhe uji do të jetë në rubinetat e qytetarëve të kryeqytetit 24 orë në 24, më shumë se 62% e kryeqytetit do të jetë i mbuluar nga ky projekt. Vlen të theksohet fakti që ky ujë nuk është rritur vetëm në sasi por edhe në cilësi. Synimi ynë nuk është vetëm që ne të përmbushim atë kriter që e kanë të gjitha vendet e BE-së për t’i ofruar 150 litra ujë në ditë çdo banori, por edhe ujë me cilësi në rubinetat tanë. Tashmë kemi një dopio filtrim dhe cilësia e ujit do të jetë absolutisht më e mirë”, u shpreh ministrja Balluku.

“Ministria e Infrastrukturës ka qenë e impenjuar gjatë gjithë kësaj periudhe për të mbaruar të gjithë procesin e tubacionit të sjelljes së ujit nga liqeni i Bovillës në afatin e duhur, që bashkia e Tiranës të niste këtë proces i cili është finalizuar sot. Po ashtu edhe Ambasada italiane ka qenë e angazhuar për të mos pasur asnjë vonesë dhe pengesë në këtë proces. Ky është një nga sektorët më të rëndësishëm të cilat ministria mbulon, por që është mjaft problematik. Tirana është absolutisht shembulli për t’u ndjekur. Erion Veliaj përmendi faktin që BERZH dha një kredi pa mbështetje të fondeve të garancisë sovrane dhe pse e bëri këtë. Sepse ujësjellësi i Tiranës është një kompani rentabël, çfarë ne kërkojmë nga të gjithë ujësjellësit kudo në Shqipëri”, deklaroi më tej ajo.

“Ministria e Infrastrukturës është munduar të incentivojë e të mbështesë të gjithë ujësjellësat kudo që ndodhen në Shqipëri, por bashkia e Tiranës është një shembull për t’u ndjekur sesi një ujësjellës mund të jetë rentabël, sesi një ujësjellës mund të ketë pavarësinë edhe për të aplikuar për kredi pa përdorur dhe ngarkuar shtetin në fondet e garancisë sovrane. Përmes këtyre projekteve madhore që janë në proces apo kemi synim për t’i siguruar financimin e që do të nisim nga puna së shpejti, synojmë që brenda vitit 2021 të kemi 55 zona urbane nga 66 zona urbane në 61 bashki të vendit me infrastrukturën e duhur, sipas standardeve më të larta për të ofruar shërbimin e furnizimit me ujë në mënyrë të pandërprerë 24 orë”, përfundoi Balluku. z tosku/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.