“Sistem dixhital për numërimin e votave”/Procesi i numërimit të jetë sa më transparent dhe në sytë e të gjithëve

TIRANË, 16 korrik/ATSH-Gjergji Mima/ Kryeministri Edi Rama propozoi sot vendosjen në dispozicion të numërimit të votave të një sistemi dixhital.

Në një replikë me deputetin e opozitës, Myslym Murrizi, Kryeministri Rama u shpreh se, “tani ajo që duhet të bëjmë i dashur Myslym, nuk është të merremi me marrëveshjen e 5 qershorit, por të diskutojmë, dhe këtu na vlen eksperienca e të gjithëve, eksperienca jote si dëshmor, i zgjedhjeve më shumë se një rast, është shumë e vlefshme. Unë e di shumë mirë historinë tënde dhe e them këtë pa asnjë humor që si do të garantojmë që edhe marrëveshja të qëndrojë, edhe procesi i numërimit sidomos të jetë sa më transparent dhe të jetë në sytë e të gjithëve”, tha Rama.

“Të mos harrojmë një gjë, – u shpreh Kryeministri, – e kam thënë përpara kur Rudina vinte kujën këtu për listat e hapura. Që dakord, por ka një problem. Numërimi ynë sot me thjesht subjekte politike. Ju e dini shumë mirë historinë që zgjat, sepse ne numërimin prej kohësh duhet ta kishim spostuar në qendrën e votimit, siç e kanë gjithë të tjerët. E bëri Maqedonia e Veriut dje dhe nuk e di deri në fund se dhe ata ballkanas janë dhe mbase fillojnë të ankohen për njëri-tjetrin, por faktikisht rezultatet sot kanë dalë. Dhe kanë garantuar që në çdo qendër votimi ku edhe numërohet ka kamera. Dhe kjo është diçka e thjeshtë që kanë bërë. Ama ne nuk e kemi këtë sistem. Ne e kemi numërimin e përqëndruar. Duke e pasur të përqëndruar janë shumë më pak njerëz që numërojnë dhe koha bëhet më e gjatë. Tani merreni mend ju edhe me ndryshimet që ne do të bëjmë, ku do të reduktohet numri i kandidatëve, si mund të bëhet një numërim i përqëndruar në një kohë të shkurtër, kur duhet të numërohet edhe kush janë votat për partinë, po edhe pastaj brenda partive kush ka marrë dhe kush s’ka marrë”.

“Na duhet të gjejmë, dhe këtu nuk na pengon marrëveshja e 5 qershorit, mekanizma për të arritur transparencën e numërimit. Mekanizmat për ta bërë të mundur që çdo kandidat, çdo konkurrent, të mund ta shohë numërimin e vet. Është e mundur nëse vendosim në dispozicion një sistem dixhital”, theksoi Rama.

Kryeministri u shpreh se nuk është e rastit që Shqipëria në raportin e OECD-së, dhe është një nga raportet më serioze, se është një raport i një organizate që përmban përmban brenda 37 vendet më të zhvilluara të botës. Shqipëria rezulton e para në rajon për transformimin dixhital dhe për shërbimet publike dixhitale. Ndërkohë që kur është bërë raporti pararendës afro një dekadë më parë ishte e fundit. E fundit. Ne kemi mundësi, nëse do të gjemë sistemin e duhur për të bërë të mundur që fletët e votimit të jenë në sytë e të gjithëve online. Kemi mundësi ta bëjmë. Dhe kjo do të jetë shumë e rëndësishme edhe për integritetin e procesit, sepse do të nxjerrë në pah numri i kandidatëve edhe integritetin e numërimit për partitë”.

“E dimë shumë mirë atë që ka ndodhur nuk është diçka që nuk e dimë, që partitë e vogla historikisht janë cenuar. Kandidatët e pavarur, Myslymi ka qenë nga të paktët, është cenuar, janë cenuar”. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.