RUSI – Dmitriev: Vaksinim i plotë i popullsisë kundër COVID-19 në fillim të 2021

MOSKË, 16 korrik /ATSH-ANSA/ – Rusia do të mund të vaksinojë plotësisht popullsinë e saj kundër koronavirusit në fillim të vitit të ardhshëm, deklaroi kreu i fondit rus të investimeve të drejtpërdrejta, Kirill Dmitriev, i pyetur nga agjencia e lajmeve “Interfax”.

“Do të prodhojmë 30 milionë doza vaksinash në Rusi, ose 50 milionë nëse do të jetë e nevojshme, gjë që nënkupton se Rusia do të mund të ketë vaksinim të plotë në fillim të vitit të ardhshëm”, theksoi ai.

“Ne parashikojmë të prodhojmë rreth 200 milionë doza vaksinash në botë para fundit të këtij viti”, shtoi Kirill Dmitriev.

Dje, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se një vaksinë potenciale kundër COVID-19, që Rusia po përgatit, duket e sigurtë pas provave të para klinike dhe se vullnetarët, tek të cilët ajo është testuar, kanë zhvilluar një përgjigje imunitare.

Dmitriev deklaroi se një fazë e tretë e provave klinike do të fillojë në fillim të gushtit./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.