Kuko: Bashkitë, rol kryesor në parandalimin e dhunës në familje

silhouette hand protect paper family with sunrise background

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ -Shqyrtimi i mekanizmave të pushtetit vendor, në referimin e dhunës në familje ishte në qendër të mbledhjes së përbashkët të Nënkomisionit për Qeverisjen Vendore dhe Nënkomisionit për Barazi Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Gruas.

Të ftuar në këtë mbledhje ishin Romina Kuko, zëvendësministre e Brendshme, Bardhylka Kospiri, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale, si dhe përfaqësues të bashkive kryesore në vend, të cilët raportuan mbi punën e bërë në bashkitë e tyre mbi mekanizmat për parandalimin e dhunës në familje, ku në seancën e kaluar u ishte lënë detyrë caktimi i një koordinatori në lidhje me dhunën në familje.

Zëvendësministrja e Brendshme shpjegoi se bashkitë duhet të kenë një rol më kryesor në parandalimin e dhunës në familje. “Mungesa e burimeve njerëzore në këto institucione, është një problem kryesor. Duhet të jenë, personel, të cilët janë të shkolluar, të specializuar, të dedikuar për atë funksion dhe të kenë të ruajtura, dosjet e rasteve të dhunës në familje, ku të na japin mundësi që të kemi një vijimësi ndjekjeje të këtyre rasteve”, u shpreh Kuko.

Kospiri lidhur mbi raportin e përgatitur nga USAID për gjatë vitit 2019, raportoi se shifrat e dhunës në familje janë shqetësuese, pasi në periudhën e pandemisë ato kanë ardhur në rritje, por që duhen gjetur rruga dhe mekanizmat për të minimizuar këtë fenomen.

Deputeti Bashkim Fino u ndal në raportin e përgatitur nga Organizata Ndërkombëtare, USAID për punën e bashkive. “Prej 61 bashkive në vend, 1/3 e tyre kanë përcaktuar një koordinator në lidhje me dhunën në familje. Disa prej tyre kanë ngritur mekanizmat e koordinimit  të referimit të dhunës në familje. Pra vetëm 40 bashki nga 61 që kemi gjithsej. Komiteti drejtues duhet të jetë hallka kryesore, jo më e dobët, siç na rezulton. Duhet të mblidhen në çdo tre muaj dhe prezent duhet të jenë edhe drejtuesit e bashkive duke qenë më bashkëpunues.

Një protokoll të tillë na rezulton se e ka hartuar vetëm Bashkia e Tiranës. Për këtë situatë mendoj se është e nevojshme të rrisim buxhetin për të parandaluar dhunën në familje”, theksoi  Fino.

Gjatë kësaj mbledhje përfaqësues të ndryshëm të bashkive në vend, raportuan mbi punën e ngritur dhe mekanizmat, deri tanimë por dhe se çfarë duhet për të parandaluar dhunën në familje.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.