Koalicionet s’ndalohen, modeli i ri plotësisht europian/ Listat do hapen nga Kuvendi me ligj, me zakon e me karton

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “listat do hapen nga Kuvendi i Shqipërisë me ligj, me zakon e me karton”.

Duke reaguar ndaj deklaratës së Presidentit Ilir Meta, Kryeministri Rama tha se “Ilir Meta thotë ndryshimi i sistemit, heqja e koalicioneve, hapja e listave bëhen vetëm me referendum. Askund nuk bëhet referendum për këto çështje. Ndërsa këtu as sistemi s’do ndryshojë, as koalicionet s’do ndalohen, po listat do hapen nga Kuvendi i Shqipërisë me ligj, me zakon e me karton”.

“Sa për modelin lindor, modeli i koalicionit që kemi s’është as perëndimor, as jugor, as verior dhe prandaj nuk gjendet askund në lindje a në perëndim. Modeli i ri do të jetë gjerman e plotësisht europian, koalicion tamam, me zë, figura e program, jo kosh karavidhesh pa din as iman”, – tha Rama.

Presidenca reagoi pas deklaratës së Kryeministrit Rama duke theksuar së “në Shqipëri kanë ndodhur dy referendume dhe në të dyja herët ka fituar populli”.

“Padyshim edhe referendumin e tretë do ta fitojë populli. Sepse në Republikën e Shqipërisë, sovraniteti i përket popullit dhe vetëm atij. Mos kini frikë nga populli”, reagon zyra e shtypit e Presidencës.

/k.s/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.