TIA: Ndalohen fluturimet me Vjenën nga data 16 korrik deri më 31 korrik 2020

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) informoi sot se “ndalohen fluturimet me Vjenën nga data 16 korrik deri më 31 korrik 2020”.

“Në një njoftim zyrtar, Austrian Airlines njofton sot se Ministria Federale Austriake e Punëve Sociale, Shëndetit, Kujdesit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka zgjeruar masivisht listën e ndalimeve të uljes së avionëve. Duke filluar nga e enjtja, 16 korrik 2020, Shqipëria nuk do të ketë asnjë fluturim të rregullt me Austrinë dhe do të radhitet në listë me Bosnjën dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Egjiptin, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Rumaninë, Serbinë, Britaninë e Madhe, Suedinë dhe Ukrainën. Dekreti është i vlefshëm deri më 31 korrik 2020″, thuhet në njoftimin e TIA-s.

Për shkak të ndalimit zyrtar, Austrian Airlines është e detyruar të anulojë të gjitha fluturimet ndërmjet Vjenës dhe Tiranës gjatë periudhës 16-31 korrik 2020.

TIA njofton se “pasagjerët fluturimet e të cilëve janë anuluar dhe të cilët nuk duan të përdorin mundësitë e rishikimit të datave mund të aplikojnë për një rimbursim duke përdorur formularin në internet në faqen e internetit të Austrian Airlines”.

Ndërsa pasagjerët që dëshirojnë të kryejnë fluturimin e tyre në një datë të mëvonshme, kanë mundësi të ndryshme rishikimi dhe mund të realizojnë udhëtimin e tyre të ndryshuar deri në fund të 2021.

“Pasagjerët që kanë tranzitin në Vjenë, do të mbrohen me linjë tjetër nga destinacion tjetër. Austria Airlines parashikon mbrojtjen e pasagjerit”, përfundon njoftimi për shtyp.

/m.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.