Rishikimi i buxhetit/ Vëmendjen më të madhe Rindërtimi për të adresuar shpejt nevojat e banorëve të prekur

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot rishikimi i buxhetit të këtij viti ka në fokus sigurimin e fondeve për programin e Rindërtimit. Sipas ministres, ky rishikim dhe ky orientim i fondeve të buxhetit drejt këtj program vjen nga nevoja e shpejtë që individët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit kanë për t’u futur në banesat e reja.

Në Aktin Normativ, vëmendjen më të madhe e ka marrë rindërtimi dhe mbështetja buxhetore e këtij programi do të vijojë edhe për vitin tjetër. Kjo jo sepse nuk kemi besim në disbursimin e fondeve të akorduara përmes granteve dhe kredive nga donatorët në konferencën e 17 shkurtit, por nga nevoja emergjente e banorëve të prekur nga tërmeti për t’u futur në banesat e tyre.

“Në projektbuxhetin afatmesëm që u diskua sot në komitetin ndërministror rritja afatmesme e Prodhimit të Brendshëm Bruto 2021-2023 e parashikuar mesatarisht 4.5 % me ulje për shkak të recesionit të këtij viti, në thelb ka konsumin. Dhe konsumi vjen nga shumë sektorë, edhe nga ai i Rindërtimit. Edhe në Aktin Normativ po të shikojmë, vëmendjen më të madhe e ka marrë Rindërtimi. Sektorë të tjerë janë shërbimet apo sektori i turizmit të cilët do të vazhdojnë të kenë prodhimin në PBB nëpërmjet konsumit.

Lidhur me projektet e infrastrukturës të prezantuar nga qeveria së fundmi si tuneli i Llogorasë, apo aksi rrugor Milot-Fier ministrja tha se projektet e infrastrukturës janë projekte që do të ndërlidhin në mënyrë më eficiente qytetet e Shqipërisë si në aspektin e efektit në ekonomi, ashtu edhe në zhvillimin e ekonomive të vogla, në zonat rurale.

“Siç po alokojmë fonde për Rindërtimin ne duhet të parashikojmë edhe atë hapësirë buxhetore që do i duhet atyre projekteve të prezantuara më parë. Ndërkohë do t’i kthehemi edhe kosolidimit fiskal në 2023-n”, deklaroi Denaj./a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.