PD: Ndryshimet kushtetuese shkelin marrëveshjen e 5 qershorit

TIRANË, 15 korrik /ATSH – I. Vata/ Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi tha sot Edi Rama gënjeu para shqiptarëve dhe partnerët strategjikë sot, kur deklaroi se ndryshimet kushtetuese nuk prekin koalicionet.

“Neni 68 i Kushtetutës aktualisht parashikon se: “Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit””, tha Bardhi.

Sipas tij, parashikimi aktual për koalicionet në kushtetutë, është shumë i qartë. Me ndryshimin kushtetutes, të miratuar nga Komisioni i Ligjeve, sipas Bardhit, zhduket termi koalicione dhe riformulohet neni 68 i Kushtetutës, si më poshtë:“Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike ose nga zgjedhësit”.

“Kjo ndërhyrje e njëanshme në Kushtetutë shkel marrëveshjen e 5 qershorit”, tha ai.

“Drafti i dakordësuar dhe firmosur nga palët, që Edi Rama thotë se do ta miratojë pa ndryshime, parashikon se “partitë pjesëtare të koalicionit të garojnë me lista shumemërore të veçanta”. Pra, marrëveshja, jo vetëm lejon koalicionet parazgjedhore, por u jep mundësinë partive politike brenda një koalicioni të garojnë me lista të veçanta”, tha ai.

“PS ka rënë dakord dhe ka firmosur që jo vetëm të vazhdohet me koalicionet parazgjedhore, por gjithashtu që një parti politike, pjesë e një koalicioni parazgjedhor, të paraqesë listën e vet të veçantë”, u shpreh Bardhi.

Sipas tij, “këtë dakordësi të arritur me mbështetjen e partnerëve strategjikë SHBA dhe BE,  Edi Rama po tenton ta zhbëjë me ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës”.

“Opozita e Bashkuar është e vendosur t’i shërbejë vetëm interesit të qytetarëve. Opozita e Bashkuar mbështet plotësisht qëndrimet e qarta të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian, Joseph Borrel, Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, dhe Bundestagut, dhe rikonfirmon se i qëndron plotësisht kodifikimit pa asnjë ndryshim të dakordësisë së 5 qershorit”, u shpreh Bardhi./j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.