Miratohet projektrezoluta për veprimtarinë e AMF për vitin 2019

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ -Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi sot në mbledhjen virtuale në drejtimin e kryetares, Milva Ekonomi, projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së AMF-së për vitin 2019.

Gjithashtu Komisioni ktheu mbrapsht në Ministri të Financave procedurën për përzgjedhjen e vakancës në bordin e AMF-së dhe miratoi aktin normativ “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar”.

Në mbledhjen e djeshme, lidhur me veprimtarinë vjetore të AMF-së për vitin 2019, kishte raportuar drejtuesi i saj, Ervin Mete.

Ekonomi prezantoi për komisionin rekomandimet e Kuvendit në tekstin e rezolutës dhe komisioni u dakordësua me atë tekst duke ia paraqitur projektrezolutën për votim seancës plenare.

Lidhur me AMF-në, komisioni shqyrtoi në mbledhjen e sotme edhe projektvendimin e anëtarit me funksionet e Nëndrejtorit Ekzekutiv. Kandidaturat e ardhura nga Ministria e Financave për vakancën në fjalë ishin Majlinda Demko dhe Alketa Martini.

Kryetarja e komisionit, Ekonomi, propozoi kthimin në Ministri të Financave për rishikim të praktikës së ndjekur, si edhe shtroi kërkesën, që sipas procedurës, të paraqitej në Komision të Ekonomisë dhe Financave vetëm një kandidaturë e përzgjedhur nga Ministria e Financave për plotësimin e vakancës së krijuar në dhjetor të vitit 2019. Komisioni dha dakordësinë e tij për kthimin e procedurës në ministri.

Si pikë të tretë dhe të fundit, komisioni miratoi aktin normativ “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar”, që u prezantua për komisionin nga zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Adela Xhemali.

Pjesë e diskutimeve u bë edhe ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj dhe relatimi për komisionin u bë nga Anastas Angjeli.

Sipas paraqitjes së kryer nga Xhemali, akti normativ sjell disa ndryshime në ligjin organik të buxhetit të shtetit për të forcuar më tej besueshmërinë e qëndrueshmërisë së financave publike, duke shtuar një rregull tjetër fiskal, prej të cilit duke filluar që prej vitit buxhetor 2023, balanca primare e buxhetit nuk mund të jetë më e vogël sesa zero (jo negative); gjithashtu, amendon me të njëjtat klauzola përjashtuese të rrethanave të jashtëzakonshme që janë aktualisht për rregullin kryesor fiskal, atë të detyrimit të uljes së përvitshme të nivelit të borxhit publik në raport me PBB, si edhe raportin “Deficit buxhetor/Shpenzime kapitale”.

Në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni e miratoi edhe këtë projektligj.

Në vijim të respektimit të masave antiCovid, edhe mbledhja e sotme u zhvillua virtualisht përmes sistemit elektronik të komunikimit, Cisco Webex.

/gj.mima///a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.