Mbi 225 mijë qytetarë morën shërbim pranë DPSHTRR-së gjatë muajit qershor

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Vetëm në qershor 2020 janë 225 050 qytetarë të shërbyer nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Drejtori i Përgjithshëm i DPSHTRR, Blendi Gonxhja u shpreh sot se “qershori 2020 shënon rekorde historike me 1032 shërbime të kryera në vetëm një orë”. Gonxhja tha se realizimi i planit në mbledhjen e të ardhurave arrin në 123%.

“Falënderoj ekipin e DPSHTRR, me të gjithë respektin e mirënjohjen, sepse 6-mujorin e parë të 2020-ës nuk u përballëm vetëm me detyrën dhe rutinën, por me kushte të jashtëzakonshme vështirësie pune! Pas tërmeteve, ku drejtori kryesore rajonale patën dëme, si edhe shumë punonjës të prekur direkt në jetët e tyre, trokiti sfida globale COVID-19, karantina, mbyllja e transportit publik. Për shumë nëna e prindër puna vijoi online duke mbajtur edhe fëmijët nga mbyllja e kopshteve dhe shkollave, për shumë punonjës puna vijoi të hënave e të mërkurave deri në ora 19:00, shumë të tjerë dolën dhe të shtunave. Një volum i jashtëzakonshëm pune u krye edhe për plotësimin e vlerave të mjeteve në funksion të amortizimit të taksës TVML për dosjet para vitit 2016. Shumë kanë punuar në çdo orar pasdite e mbrëmjeje për përgjigjet, sqarimet e aplikimet online gjatë muajve me kufizime lëvizjeje për qytetarët dhe subjektet”, tha ai.

Në këto kushte, si një prej enteve me rrezik të lartë ekspozimi ndaj virusit, Gonxhe tha se “DPSHTRR realizoi 120% mbledhjen e detyrimeve si agjent tatimor krahasuar me 6-mujorin e parë të 2019-ës”.

“Fonde nga totali i të cilave (95%-shi)  shkojnë me këtë ndarje: 25% bashkive dhe 75% arkës së shtetit. Pra +20% fonde jetike që i rikthehen qytetarëve e komuniteteve në investime, shërbime, përkrahje sociale, etj”, tha ai.

Gonxhe falënderoi po ashtu edhe taksapaguesit për ndërgjegjësimin dhe mirëkuptimin.

“Sot u ndala te rezultatet që nuk do ishin të mundura pa dedikimin, pa kohën jashtë orari, pa vajtje-ardhjet në punë me kosto më të larta për punonjësit, pa buzëqeshjen e durimin edhe në kushte stresi e paniku, pa sistemet dhe kapacitetet teknike e profesionale, pa organizim e koordinim, pa kreativitetin kovidian e pa komunikimin, sjelljen dhe përgjegjësinë model të treguar”, tha ai.

/m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.