Grantet e rikonstruksionit të banesave të dëmtuara nga tërmeti/ Qeveria akordon fondin 1,3 miliardë lekë për bashkitë Kurbin, Shijak dhe Durrës

TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave, miratoi në mbledhjen e së mërkurës, përdorimin e fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e vitit 2020, në masën 1 349 321 530,38 lekë, për financimin e rikonstruksionit ose të riparimit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, dhe rikonstruksionit ose riparimit të mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat) në bashkitë Kurbin, Shijak dhe Durrës.

Efekti financiar, i këtij vendimi, përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e shtetit për vitin 2020, sipas detajimit të mëposhtëm:

Bashkisë Kurbin i transferohet fondi prej 830 944 728,38 lekësh për: financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, në masën 470 750 000 lekë; Financimin për rikonstruksion ose riparimin e mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat), në masën 360 194 728,38 lekë.

Bashkisë Shijak i transferohet fondi prej 127 176 802 lekësh për financimin për rikonstruksion ose riparimin e mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat).

Bashkisë Durrës i transferohet fondi prej 391 200 000 lekësh për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para.

Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Kurbin, Shijak dhe Durrës për zbatimin e këtij vendimi, që hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”. e.xh/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.