“Europa është këtu”/ Soreca takim me Lelin: Vlora qytet ndërkombëtar, potenciale të mëdha ekonomike dhe turistike

TIRANË, 15 korrik/ATSH-Gjergji Mima/ -“Europa është këtu” është fushata më e re e komunikimit që Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë do të lançojë në vendin tonë.

Për këtë arsye, Ambasadori i Bashkim Europian, Luigi Soreca po zhvillon sot një vizitë në qytetin e Vlorës.

Ai u prit në takim nga kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, ku diskutuan mbi projektet e Bashkimit Europian në këtë qytet si dhe transformimet e mëdha që ka pësuar Vlora duke u shndërruar në një qendër të aktivitetit ekonomik dhe turistik në vend.

Duke falënderuar ambasadorin Soreca, Leli u shpreh se, “Vlora do të shndërrohet në potencialin ekonomik dhe turistik të viteve që vijnë”.

“Uroj dhe shpresoj që të gjithë së bashku do të kemi mundësi që të bëjmë në të ardhmen më shumë projekte, më shumë punë, për të konsoliduar gjithnjë e më tepër besimin e të gjithë shqiptarëve tek Europa, tek BE, tek përparimi në këtë proces”, tha kryebashkiaku Leli.

“Ndaj me ju të gjitha ato që thatë për potencialin e paimagjinueshëm që ka ky qytet. Besoj ju e mbani mend që kur kam qenë këtu herën e fundit së bashku kemi thënë që Vlora do të ishte qyteti ku ne do të organizonim aktivitetet kryesore në lidhje me Ditën e Europës, datën 9 maj. Ju e dini që kjo ishte e pamundur për shkak të COVID-19, por kjo nuk do të thotë që mbyllet me kaq. Unë jam sot këtu me ju që të lançojmë një fushatë tejet të rëndësishme të Bashkimit Europian në Shqipëri. Dhe doja që këtë gjë ta bëjmë në Vlorë për arsye të atij premtimi që ne dhamë bashkë herën e fundit. Ne do të përqëndrohemi në disa aspekte të rëndësishme të punës që BE ka bërë në Shqipëri, sa i përket përshembull transportit dhe ku më mirë sesa në Vlorë. Është në sajë të këtyre investimeve që BE ka bërë në Shqipëri që Vlora sot është një qytet ku jetohet dhe punohet në mënyrë më të mirë dhe është më miqësor ndaj mjedisit”, tha Soreca.

“Ne do të vazhdojmë që të investojmë në Vlorë në këtë destinacion kaq të rëndësishëm turistik dhe ekonomik. Jemi këtu që të lançojmë këtë fushatë të quajtur “Europa është këtu” për të treguar pikërisht se çfarë ka bërë Bashkimi Europian në Shqipëri ndër vite në fusha të ndryshme, si transporti, bujqësia, infrastruktura dhe mjedisi. Kjo fushatë do të zgjasë për 6 muaj, pra do të vazhdojë deri në datën 15 dhjetor 2020, një datë kjo e rëndësishme për Shqipërinë. Kjo për arsye se data 15 dhjetor e vitit 2010, pra 10 vite më parë ishte dita e parë kur qytetarët shqiptarë mundën të udhëtonin në Bashkimin Europian, në zonën Schengen pa viza. Unë mendoj që ky është rezultati më i prekshëm që çfarë mund të bëjë BE për Shqipërinë. Unë personalisht kam qenë në Bruksel në 2010 kur ka arritur avioni i parë me udhëtarët shqiptarë pa viza, ndërsa këtë 15 dhjetor do të jem në Tiranë për të festuar këtë përvjetor”, u shpreh Soreca.

“BE është këtu, për t’iu përgatitur të gjithëve që të bëheni anëtarët e ardhshëm të BE. Është kënaqësi që jam këtu në Vlorë për ta lançuar këtë fushatë, sepse Vlora është vërtet një qytet ndërkombëtar. Sytë i kemi drejt së ardhmes, drejt potencialeve të mëdha për të ardhmen”, theksoi Soreca.

Ndërsa në orën 14:00, ambasadori Soreca dhe kryebashkiaku Leli do të jenë në një aktivitet në bypass-in e Vlorës, që financohet nga BE, ku do të lançojnë fushatën e re të komunikimit të Delegacionit të BE-së: “Europa është këtu”.

Fushata gjashtëmujore synon t’i informojë më mirë qytetarët shqiptarët se si Bashkimi Europian po i mbështet ata për t’u bërë qytetarë të ardhshëm të BE-së. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.