BRUKSEL – KE: Masa ndaj një valë të re të mundshme të koronavirusit

BRUKSEL, 15 korrik /ATSH-ANSA/ – Mbulim më i madh i provave, gjurmueshmëri efikase e kontaktit, mbikëqyrje të përmirësuar dhe qasje më e madhe në shërbimet mjekësore janë këto masat e njoftuara sot nga Komisioni Europian lidhur me një valë të re të mundshme të Covid-19 .

Ndër masat që do të merren theksohet edhe nevoja për adresimin e shpërthimeve të reja në mënyrë efektive, që do të kërkojë një koordinim të ngushtë, me veprime afatshkurtra dhe afatgjata për forcimin e reagimit të shteteve të ndryshme.

Masat e tjera përfshijnë sigurimin e lëvizjes së lirë të furnizimeve mjekësore thelbësore në BE dhe lidhjen e marrëveshjeve me prodhuesit e vaksinave.

Brukseli gjithashtu propozon të financojë dhe lehtësojë transportin e ekipeve mjekësore në BE dhe ndërmjet shteteve anëtare dhe transferimin e pacientëve midis vendeve.

Vëmendje dhe mbështetje e veçantë do të ketë për njerëzit më vulnerabël, të moshuarit dhe ata me patologji mjekësore. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.