BE kërkon miratimin e reformës zgjedhore, marrëveshja e 5 qershorit një nga instrumentat për ta realizuar

TIRANË, 15 korrik/ATSH-Gjergji Mima/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Bashkimi Europian kërkon miratimin e reformës zgjedhore dhe marrëveshja e 5 qershorit është një nga instrumentat për ta realizuar atë.

Në një konferencë për mediat, i pyetur në lidhje me deklaratën e ambasadorit të BE, Luigi Soreca se pa marrëveshjen e 5 qershorit nuk ka një Konferencë Ndërqeveritare, Rama u shpreh se, “së pari unë nuk dua që ne ta rrëzojmë atë marrëveshje edhe pse mua ajo marrëveshje nuk më pëlqen. Por ky është një proces ku unë i pari që flas për të tjerët dhe PS që ndërvepron me të tjerët duhet të japim shembullin tonë dhe po japim shembullin tonë. Të marrin shembull nga ne. Ne nuk na pëlqen marrëveshja, shumë e thjeshtë, ne donim depolitizimin e administratës zgjedhore dhe më vjen keq që Lulzim Basha thotë që e bëmë me zor. Nuk e bëmë me zor”.

“Nuk ka askund të shkruar që Shqipëria ka kusht të bëjë marrëveshje me Lulzim Bashën për të bërë Konferencën Ndërqeveritare. Nuk është e shkruar asgjëkundi. As që Shqipëria ka kusht të bëjë marrëveshje jashtë parlamentit për të bërë Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Nuk është e shkruar. Shqipëria është shtet sovran që me vullnet të plotë dhe në funksion të ëndrrës së madhe dhe të mbështetjes më të madhe në Ballkan nga populli i vet, troket për të hyrë në BE. Nuk është as Edi Rama, as Lulzim Basha, as x as ypsilon që e kanë vendosur këtë apo që mund ta zhvendosin këtë. Është shtet. Dhe shteti shqiptar ka detyrimin t’i provojë BE se është në gjendje të përmbushë të gjitha ato standarde dhe kritere që i duhen për të qenë anëtar i familjes europiane”, tha Rama.

Konkretisht, shtoi Kryeministri, “reforma zgjedhore është një kusht kyç. Patjetër. Reforma zgjedhore është një kusht kyç pa të cilin Shqipëria nuk mund të fillojë Konferencën. Patjetër. Ne po flasim për reformën zgjedhore. Marrëveshja është një nga instrumentat për të realizuar reformën zgjedhore. Ndërkohë që gjykimi bëhet mbi produktin, nuk bëhet mbi faktin se kush u mërzit dhe kush u gëzua nga reforma. Kjo nuk është pjesë e standardeve europiane që duhet të jetë i gëzuar Luli. Apo që duhet që disa parti që kanë braktisur parlamentin të japin konsensusin e tyre ose përndryshe parlamenti duhet të paralizohet dhe duhet të thotë ku është ajo marrëveshja që keni bërë ju jashtë këtyre mureve që ne të gjithë ta votojmë dhe të duartrokasim. Kush duhet ta duartrokasi? Myslym Murrizi? Rudina Hajdari? Apo të gjithë ata të tjerët që janë aty si rezultat i vendimit që kanë marrë për të mos braktisur parlamentin dhe që të gjithë së bashku votojnë, ose do të votojnë, për një ligj që lidhet drejtpërdrejtë dhe me interesin politik të tyre? Ku është interesi i tyre politik? Është shumë e thjeshtë që të duartrokasin një marrëveshje, e cila thotë votat tuaja do të numërohen nga njerëzit e Edi Ramës dhe të Lulzim Bashës dhe të Monika Kryemadhit, larg qoftë. Ku? Ku është interesi i tyre? Si do ta votojnë ata e gëzim këtë?”.

Dhe ndërkohë, shtoi Rama, “nëse ata do të kishin kërkuar qiqra në hell sigurisht që do ishim duke bërë një diskutim tjetër. Çfarë kanë kërkuar? Kanë kërkuar diçka për të cilën u duhet dhënë një kredit e kanë popullarizuar. Kanë arritur ta popullarizojnë. Listat e hapura. Unë nuk jam tifoz i listave të hapura, jo për ato arsye që thuhen që kryetarët, se në fund fare prapë kryetarët janë ata që do të firmosin listën e deputetëve dhe nuk ekziston në asnjë vend të botës kryetar partie që të firmosë listë deputetësh që nuk e aprovon vet. Por ama dhënia e mundësisë njerëzve për ta zgjedhur edhe deputetin apo deputeten që duan, kush mund ta thotë që është anti-europiane, anti-demokratike apo është e padrejtë”.

“Tani unë nuk jam aq i zgjuar sa kolegët në Presidencë, jashtë parlamentit, apo brenda parlamentit, po nuk jam aq budalla sa të mos kuptojë që atë që shqiptarët e duan sot në 80  e kusur përqind të tyre PS nuk mund t’ua refuzojë. Si mund të dalim ne refuzuesit e asaj që duan 80 e ca për qind e shqiptarëve dhe pastaj të marrim ne koston për diçka që s’e kemi problem, frikë jo e jo, përkundrazi”, u shpreh Rama.

“Tani më thoni ju mua ku hyn këtu perspektiva europiane, përveçse për mirë. E gjitha lidhet vetëm me një gjë, ideja, apo frika, apo sëkëlldia, apo kujdesi i të gjithë atyre që e duan Shqipërinë se mos çmendet prapë grupimi i partive që janë jashtë dhe fillon nga e para bën atë që bëri duke i penguar dhe miqtë e Shqipërisë për të bërë atë që duan të bëjnë. Kjo është e gjitha. Të tjerat janë të gjitha muhabete. Por për këtë jam unë dhe është kjo shumicë përgjegjëse, dhe ne jemi këtu për të udhëhequr deri kur të na mbarojë mandati. Ne nuk jemi këtu për t’i shkuar nga mbrapa askujt. Aq më tepër për të marrë, urdhra, ultimatume dhe për të pranuar diktatin e një grupimi partish që janë në anën e kundërt të historisë”, theksoi Rama.

Se unë kam parë, u shpreh Rama “dhe jam i vetëdijshëm edhe përsa na takon ne, që pas 7 vjetësh në qeveri, një qeverisje, sigurisht që ballafaqohet më shumë me të meta me boshllëqe sesa pas një viti, por këtë që shoh këtu, që populli të jetë më i mërzitur me opozitën sesa me qeverinë, unë nuk e kam parë në asnjë vend. Dhe njerëzit e mërzitur me ne, janë më të mërzitur me opozitën. Kjo është gjëja që duhet të pyesin veten miqtë tanë në opozitë. Dhe këto çështjet e ç’balancimit të situatës me kërcënime apo me gjoksin imagjinar të Mic Sokolit t’ia lënë të shkuarës. Këto i përkasin të shkuarës”. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.