“700 km rrugë në të gjithë vendin”/ Soreca nga Vlora: BE-ja ka investuar më shumë se 110 milionë euro çdo vit në Shqipëri

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ “Europa është këtu” është fushata më e re e komunikimit që delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë lançoi sot nga qyteti i Vlorës.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca zhvilloi një konferencën për shtyp me kryebashkiakun e Vlorës, Dritan Leli.

“Jam shumë i lumtur që ndodhem sot këtu me Dritanin, kryebashkiakun e një qyteti me të cilin Bashkimi Europian ka një marrëdhënie të veçantë. Vetëm në 10 vitet e fundit, BE-ja ka investuar mbi 50 milionë euro në Vlorë me rezultate të jashtëzakonshme”, tha Soreca.

“Lungomare ishte një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për Bashkimin Europian. Ai e rimodeloi tërësisht Vlorën, hapi bregdetin për pamje të mahnitshme, e bëri infrastrukturën miqësore me mjedisin dhe, mbi të gjitha, ndryshoi jetën dhe biznesin e shumë banorëve”, u shpreh ambasadori Soreca.

Tani, theksoi ai, “ne po punojmë së bashku për një tjetër projekt të rëndësishëm: bypass-in e Vlorës. Sapo jemi kthyer nga një vizitë me kontraktorët dhe inxhinierët, dhe unë jam i lumtur që shoh se puna po përparon shumë shpejt. Bypass-i do ta ndryshojë qytetin e Vlorës ashtu siç bëri Lungomare. Ne jemi krenarë të investojmë në një projekt që po përdor teknologjinë më të përparuar në shërbim të qytetarëve shqiptarë”.

“Por a e dinë të gjithë se është Bashkimi Europian që po e financon bypass-in e Vlorës? Shumica e njerëzve nuk e dinë këtë dhe për fat të keq kjo ndodh shpesh me mbështetjen tonë financiare. Vetëm për rrugët, BE-ja ka investuar më shumë se 110 milionë euro në 10 vitet e fundit, duke ofruar 700 km rrugë në të gjithë vendin. Ka shumë të ngjarë që, çdo ditë dhe pa e ditur, ju udhëtoni në një rrugë që e ka financuar BE-ja. Kjo përfshin infrastruktura të mëdha si bypass-in e Rrogozhinës, por edhe kilometra rrugë rurale që kanë siguruar një qasje më të mirë në tregje, infrastrukturat shëndetësore dhe arsimore, si dhe kanë zvogëluar kohën e udhëtimit dhe koston e transportit”, tha Soreca.

“Programi ynë për të përmirësuar rrugët dytësore e ka shkurtuar kohën e udhëtimit në zonat rurale me gati 40%. Këtë nënkuptojmë me “Europa është këtu”, fushata që po nisim sot. Sigurisht, “Europa është këtu”, sepse Shqipëria është një vend europian. Por, “Europa është këtu”, sepse BE-ja tashmë është e pranishme kudo në vend, duke përmirësuar jetën e shqiptarëve dhe duke i afruar më shumë standardet me ato të BE-së. “Europa është këtu” si 61 yjet e BE-së në hartën shqiptare”, u shpreh Soreca.

“Bashkimi Europian i jep mesatarisht 100 milionë euro Shqipërisë çdo vit. Kjo do të thotë 1,5 miliardë – në grante të drejtpërdrejta – gjatë 15 viteve të fundit, duke mbuluar të gjithë sektorët e mundshëm: peshkimin, drejtësinë, sigurinë e ushqimit, antikorrupsionin, doganat, bujqësinë, arsimin dhe shumë më tepër. Kjo e bën Bashkimin Europian donatorin më të madh në Shqipëri”, tha ai.

“Në 6 muajt e ardhshëm, ne do t’u japim vizibilitet ndryshimeve pozitive që kjo ndihmë financiare ndihmon për të arritur. Nga sot dhe deri në dhjetor, ne do të shqyrtojmë se si mbështetja jonë për Transportin /Infrastrukturën, Mjedisin dhe Bujqësinë e ka ndryshuar vendin. Ne do ta përfundojmë fushatën më 15 dhjetor 2020, për 10-vjetorin e vendimit për t’u dhënë shqiptarëve udhëtimin pa viza në BE – një datë që mbetet zhvillimi më i rëndësishëm i BE-së për shumicën e shqiptarëve”, nënvizoi Soreca.

“Europa është këtu”, sepse më 25 mars të këtij viti, Bashkimi Europian vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian ndryshoi rrënjësisht atë ditë. Komisioni Europian tashmë ka paraqitur kornizën e bisedimeve, e cila po diskutohet me shtetet anëtare deri në miratimin e saj nga Këshilli. Integrimi i vendit në BE nuk është më një aspiratë. Ai po ndodh konkretisht. Ndihma jonë financiare bëhet edhe më e rëndësishme, pasi do të mbështesë ndryshimet e thella që vijnë nga negociatat e anëtarësimit”, tha Soreca.

“Ekonomia do të duhet të modernizohet, sektorët e aktivitetit do të duhet të harmonizohen me standardet e BE-së, administrata e tyre do të duhet të reformohet thellësisht. Shqipëria nuk do të bëhet një vend i BE-së ditën e anëtarësimit; ajo po bëhet tashmë e tillë, përmes çdo hapi që e afron edhe më shumë me vlerat dhe standardet e Bashkimit Europian”, theksoi ai.

“Dialogu ynë politik me Shqipërinë është njëra anë e këtij procesi; ana tjetër është mbështetja e pakrahasueshme financiare dhe investimi që BE-ja sjell në këtë vend, për një arsye shumë të thjeshtë: për të mbështetur një shtet anëtar të ardhshëm. Transparenca zë një vend të rëndësishëm në vlerat e BE-së dhe përbën një parim të rëndësishëm të bashkëpunimit tonë me Shqipërinë. Kjo është arsyeja pse kemi krijuar një bazë të dhënash me projektet e përfunduara dhe ato në zbatim e sipër, të financuara nga BE-ja në Shqipëri”, tha Soreca.

“Sot po zbulojmë për publikun faqen tonë në internet euprojects.al. Do të jetë një mjet i dobishëm për median, studiuesit, shoqërine civile dhe qytetarët për të gjetur informacion të detajuar mbi projektet tona. Për çdo projekt në këtë bazë të dhënash jepet informacion mbi partnerët zbatues, përfituesit, qëllimet, aktivitetet dhe rezultatet e pritshme”, u shpreh ai.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.