15 vite në UNESCO/ Gjirokastra po rilind dita-ditës dhe po kthehet në një destinacion gjithnjë e më të rëndësishëm turistik


TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Në sajë të investimeve të qeverisë, Gjirokastra po rilind dita-ditës dhe po kthehet në një destinacion gjithnjë e më të rëndësishëm turistik.

Kështu u shpreh sot kryeministri Edi Rama ndërsa ndau pamje nga qyteti i gurtë, në 15-vjetorin e hyrjes në UNESCO.

“Mirëmëngjes me këto pamje sa të ëndërrta aq edhe të vërteta të Gjirokastrës, në 15-vjetorin e hyrjes së qytetit të gurtë në regjistrin e trashëgimisë botërore të UNESCO-s”, tha Rama.

Kryeministri tha se “në këto vite e mbrojtëm, po e rilindim dita-ditës dhe kthejmë në një destinacion gjithnjë e më të rëndësishëm turistik, këtë gur të çmuar të gjerdanit të trashëgimisë sonë kulturore”.

Gjirokastra është një qytet që përbën dëshmi unike të një tradite kulturore të jetës së zhvilluar në shek. 14-19. Në Gjirokastër veçohet tipi i shtëpisë së fortifikuar me çati me pllaka guri, në harmoni perfekte me peizazhin shkëmbor të territorit ku ajo ngrihet. Banesat, një tip i veçantë në tipologjinë e banesës shqiptare dhe asaj ballkanase të mesjetës së vonë, luajnë një rol të rëndësishëm në fizionominë e qytetit.

Gjirokastra ka 56 banesa monumente kulture të kategorisë së parë, 502 të kategorisë së dytë dhe shumë komplekse të tjera me vlera historike, arkitektonike dhe kulturore.
Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar. Sipas kategorive të monumenteve kulturore, në qytet dallohen kalaja, pazari, ndërtimet e kultit dhe shtëpitë e banimit.

Kalaja, e ndërtuar në shek. 13, përbën zanafillën e qytetit, ndërsa pazari (shek. 17) i vendosur në qendër të qytetit ruan mirë karakteristikat e një pazari tradicional, me ndërtesa të njëpasnjëshme të shtruara me kalldrëme gurësh të zinj.
/m.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.