Pr/ligji për “Kodin Ajror në Republikën e Shqipërisë”, sipas standardeve ndërkombëtare

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Komisioni i Kuvendit për Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit miratoi sot projektligjin për “Kodin Ajror në Republikën e Shqipërisë”.

Relatore e këtij projektligji, deputetja Eglantina Gjermeni tha se, “projektligji ka për qëllim rregullimin ligjor të përdorimit të hapësirës ajrore shqiptare dhe të marrëdhënieve juridike në fushën e aviacionit civil”.

Qëllimi i veçantë i këtij projektligji është rregullimi i veprimtarisë së avionëve civilë të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, të avionëve për të cilët Republika e Shqipërisë merr përgjegjësi sipas dispozitave të këtij Kodi në përputhje me Konventën e Çikagos, dhe të avionëve të regjistruar në një shtet tjetër, por që operojnë me licencën e operimit të lëshuar nga autoriteti kompetent licencues i Republikës së Shqipërisë.

Gjermeni tha se, “përmirësimet ligjore bëhen sipas rekomandimeve të ekspertëve të
Komisionit Evropian dhe përafrimit të akteve me ato të Bashkimit Europian të përcaktuara
në Marrëveshjen për Krijimin e Zonës së Përbashkët Europiane të Aviacionit Civil”.

Ajo vuri në dukje se, projektligji parashikohen dispozita që përmbushin një pjesë të detyrimeve të Marrëveshjes për Krijimin e Zonës së Përbashkët Europiane të Aviacionit Civil.

“Pjesë e kësaj marrëveshjeje është aneksi I, në të cilin përfshihet i gjithë legjislacioni evropian që prek transportin ajror dhe që përditësohet çdo vit, në varësi të ndryshimeve të këtij legjislacioni. Për rrjedhojë, në mënyrë të vazhdueshme, lind nevoja e përditësimit të legjislacionit kombëtar, pjesë e të cilit janë edhe dispozitat e Kodit Ajror në fuqi”, – u shpreh Gjermeni.

Sipas saj, projektligji plotëson mangësitë e karakterit ligjor të evidentuara nga auditimet e
Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) apo vizitat standardizuese të EASA-s.

“Shqipëria, si shtet anëtar i ICAO-s dhe si aspirant për t’u asociuar në EASA, ka detyrimin e korrigjimit të mangësive të rezultuara nga këto vizita vlerësuese. Autoriteti i Aviacionit Civil, si institucioni mbikëqyrës për aviacionin civil në Shqipëri, ka mundësi të realizojë funksionet e tij nga ana ligjore, të mirërregulluara me miratimin e këtij projektligji.
Industria e aviacionit ka mundësinë të njihet më qartë me detyrimet e saj, me qëllimin e vetëm, atë të garantimit të nivelit të pranueshëm të sigurisë në fluturim. Gjithashtu, arrihet të formalizohet bashkëpunimi mes institucioneve të ndryshme brenda dhe jashtë transportit ajror (civil), me qëllim të menaxhimit të hapësirës ajrore në mënyrë të sigurt dhe eficente”, deklaroi Gjermeni. e.xh//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.