Ligji “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”/ Komisioni i Ekonomisë rrëzon dekretin e Presidentit

 

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Komisioni i Ekonomisë dhe Financave rrëzoi dekretin e Presidentit për kthimin e ligjit “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”.

Relatori i këtij ligji, deputeti Anastas Angjeli tha se është e domosdoshme miratimi i një ligji për të rregulluar këtë veprimtari, pasi pasojat do të ishin më të mëdha nëse ky treg zhvillohet në mënyrë jo ligjore në vendin tonë.

“Ligji për tregjet financiare është i rëndësishëm për atë filozofi që duam të zhvillojmë në zhvillimin e tregjeve financiare në vendin tonë. Ky ligj lindi si nevojë e zhvillimeve në tregun financiar pas 30 viteve ekonomi tregu. Ky rregullim ligjor jep mundësi për përfshirje të më shumë investitorëve dhe krijimit të infrastrukturës së re të tregjeve financiare, duke përcaktuar sa më shumë rregulla për tu bërë pjesë e tyre e kontribuar në ekonominë e vendit. Tregjet virtuale mbeten të parregullura dhe është e natyrshme që risqet janë, ndaj është e domosdoshme të kemi një kornizë ligjore të plotë. Asnjë nuk është i sigurtë nëse zhvillohen aktivitete të paligjshme në këtë fushë, nëse nuk ka asnjë lloj kontrolli me ligj”, tha Angjeli.

Sipas tij, hartimi i kuadrit ligjor për veprimtarinë e parasë virtual për regjistrim dhe licencim është edhe direktivë e Bashkimit Europian.

“Nga pikëpamja e argumenteve të përgjithshëm, kemi arritur që ta anojmë në krahun që i duhet vendit një ligj, që situata të menaxhohet për eleminimin e efekteve negative në fushën sociale, si dhe për të rritur efikasitetin e menaxhimit kundër pastrimit të parave që burojnë nga burime të paligjshme dhe terrorizmi. Pa ligj, rregulla e akte nënligjore nuk mund ta bëjmë këtë gjë“, shtoi Angjeli./a.gjonaj//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.