KLSH të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe e pandikuar politikisht

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Presidenti Ilir Meta, priti sot në një takim kryetarin e sapozgjedhur të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu me rastin e fillimit të ushtrimit të detyrës prej tij.

Presidenti Meta kërkoi që veprimtaria e Kontrollit të Lartë të Shtetit të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe e pandikuar politikisht.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë kushtetues i kontrollit ekonomik dhe financiar dhe veprimtaria e këtij institucioni duhet të shërbejë veç të tjerave edhe në rritjen e përgjegjshmërisë së çdo institucioni publik në menaxhimin e pasurisë publike, pa asnjë dallim, duke nisur nga Institucioni i Presidentit të Republikës”, – tha Kreu i Shtetit.

Ai theksoi se Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet t’i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, e garantoi Presidentin e Republikës për ushtrimin me transparencë të funksioneve kushtetuese të institucionit për të cilin është votëbesuar ta drejtojë, në mënyrë profesionale dhe të depolitizuar.

/m.m//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.