Garancia financiare II/ 89 kompani aplikuan për një shumë prej 4.04 miliardë lekësh

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ 89 sipërmarrje në të gjithë vendin kanë aplikuar pranë bankave të nivelit të dytë për të përfituar fonde nga instrumenti i garancisë financiare II që lëshoi qeveria shqiptare për kapital qarkullues dhe investime, për të përballuar situatën në të cilën u ndodhën këto kompani, për shkak të pandemisë së COVID-19.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë bën të ditur se këto 89 kompani kanë aplikuar për një shumë prej 4.04 miliardë lekësh.

Deri tani janë miratuar aplikimet për 40 kompani për një shumë prej 0.84 miliardë lekësh.

Përveç garancisë sovrane të parë për pagat e punonjësve prej 11 miliardë lekësh, Qeveria shqiptare lëshoi edhe një garanci të dytë në shumën 15 miliardë lekë, duke siguruar kredi për kapitalin qarkullues dhe investime për të gjithë sektorët e ekonomisë.

Qeveria garanton 60% të principalit dhe vlera maksimale e kredisë për një kompani nuk mund të kalojë 300 milionë lekë. Periudha e “faljes”, pra periudha kur kompania nuk paguan interes, është 6 muaj dhe kredia duhet të shlyhet brenda një periudhe 5-vjeçare. /a.gjonaj/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.