Presidenti Duka uron Vllazninë, kampionen e Shqipërisë në futbollin e femrave

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ -Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka uruar skuadrën e Vllaznisë për femra, që u shpall kampione e Shqipërisë.

Presidenti Duka ka vlerësuar arritjen historike të vajzave shkodrane, që rrëmbyen titullin kampion për të shtatin vit radhazi, si edhe paraqitjen e shkëlqyer në UEFA Women’s Champions League vitin e kaluar.

“Dua të uroj skuadrën e Vllaznisë, që shpallet kampione e Shqipërisë në futbollin e femrave për të shtatin vit radhazi! Një arritje historike e një skuadre që po shkruan historinë e futbollit të femrave, duke bërë një paraqitje mjaft të mirë dhe duke dhuruar njëkohësisht emocione të mëdha në fushën e lojës”,  shprehet ai.

“Nuk mund të lë pa përmendur faktin se Vllaznia na ka bërë të gjithëve krenarë veçanërisht në arenën ndërkombëtare, teksa vitin e kaluar vendosi edhe një rekord për futbollin e femrave, pasi kaloi turin eliminator dhe shkoi deri në fazën e 1/32-ve të UEFA Women’s Champions League”, thekson Presidenti Duka, duke theksuar edhe faktin që Vllaznia është kthyer në një simbol për shumë vajza që duan të luajnë futboll.

“Përveç kësaj, unë vlerësoj edhe së tepërmi faktin se Vllaznia është kthyer në një simbol për shumë vajza shqiptare e që duhet marrë shembull nga të gjitha klubet. Është gjithashtu edhe një burim frymëzimi për të investuar akoma më shumë te futbolli femrave, që Federata Shqiptare e Futbollit e ka shpallur si prioritetin kryesor për të ardhmen. Dua të uroj edhe një herë Vllazninë, drejtuesit, stafin teknik dhe shpresoj që në të ardhmen të shtohen radhët e vajzave të cilat duan të luajnë futboll. Shumë urime vajzave shkodrane që na bënë edhe një herë krenarë me suksesin e tyre!”,  shprehet Presidenti i FSHF-së në urimin e tij.

/gj.mima//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.