Komisioni i Ligjeve diskuton ndryshimet kushtetuese për Reformën Zgjedhore: Opozita propozon uljen e pragut nga 5 në 2%

TIRANË, 13 korrik /ATSH – I. Vata/ Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhje përbashkët me Këshillin për Legjislacionin diskutimi nen për nen i projektligjit për disa shtesa dhe ndryshime të Kushtetutës për Reformën Zgjedhore.

Komisioni i Ligjeve nën drejtimin e Vasilika Hysit nis sot diskutimin nen për nen ndryshimet kushtetuese.

Relatori i opozitës Korab Lita, propozoi që të ulet pragu elektoral nga 5% në 2%.

“Nga diskutimet me ekspertë e të drejtës kushtetuese u vu në dukje se pragu elektoral nuk duhet të jetë pengua për partitë e vogla nuk duhet të dekurajojë konkurrencën politike. Pragu 5% konsiderohet frenues partitë dhe për procese politike në Shqipëri, sepse pragu ka për qëllim heqjen me ligj të koalicioneve parazgjedhore. Sistemi aktual  parashikon një prag 3% me koalicione parazgjedhore dhe të gjithë jemi dëshmitarë edhe pse koalicionet lejohen, një shumicë e konsiderueshme votash nuk prodhuan mandate dhe një masë  votuesish ngelën pa përfaqësim dhe kjo nuk është demokratike. Pragu prej 2% sjellë efekte pozitive, prandaj propozoi se në pikën 2 të nenit të parë të ligjit,  togfjalëshi jo më pak se 5% të bëhet jo më pak se 2%”, tha Lita.

Po ashtu, dhe deputetët Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari shprehën mendimin pro uljes së pragut elektoral në 2%.

Deputeti Ulsi Manja tha se, “duke qenë se sot diskutojmë nen për nen dy amendamentet kushtetuese, respektivisht të nenit 64 dhe 68, unë sugjeroj se nëse propozuesit nuk kanë sugjerime për nenin 64 të kushtetutës, sugjeroj  të marrim dhe sugjerimin për nenin 68 dhe në rast se ka propozime dhe relatorët të ulen dhe të vijnë me propozime konkrete”.

Relatorja, Klotilda Bushka tha, “se pragu prej 5% konsiderohet frenues për proceset politike në vendin tonë, megjithatë  propozimin për uljen e pragut në 2% është një çështje që ka nevojë për diskutim e përbashkët të relatorëve sepse duhet një analizë pse arrihet në këtë nivel, dhe unë mendoj se është i ulët dhe të ia paraqesin me shkrim Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të legjislacionit dhe të kenë kohë të gjithë të lexojnë këtë riformulim final të nenit 64”.

Relatori i mazhorancës, Alekt Hyseni tha se se jemi në të njëjtën qëndrim. Çështja e pragut ka të bëjë më një moment historik për vendin si një element krahasues me vendet perëndimore.

“Pragu zgjedhore në vendet e BE-së është ku; Austria 4%, Belgjika 5%, Çekia 5%, Danimarka 2%, Estonia 5%, Greqia 3%, Gjermania 5%, Italia 3%, Polonia 5%, Rumania 5%, Sllovenia 4%. Pra kemi nga 2-5 të pragjeve dhe mendoj se me diskutimin e katër relatorë dhe eksperte të përmirësojnë këtë çështje për të vendosur një prag të pranueshëm”, tha Hyseni.

Konstitucionalisti Ilir Rusmajlit tha se “ndryshimi që kërkojmë të bëjmë synon që të kemi një sistem proporcional rajonal dhe pragu të jetë 3%. Kjo do të thotë se në mënyrën se si ne e analizojmë nismën, partitë që kalojnë 3% në nivel kombëtar, marrin pjesë në shpërndarjen e mandateve në nivel rajonal dhe mandatet do ndahen në nivel rajonal, jo kombëtar, sepse sistemi atëherë nuk është më proporcional rajonal.”

Murrizi kërkoi që relatorët të mblidhen dhe të dalin brenda ditës së sotme në një konkluzion të qartë.

Komisioni i Ligjeve bashkë me Këshillin për Legjislacionin vendosi që komisioni të mblidhet sot pasdite në orën 18:00. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.