Ekipet kombëtare, takim për ndryshimet e imponuara nga pandemia

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Trajnerët e ekipeve kombëtare kanë zhvilluar sot një takim konsultativ, ku morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, departamenti i ekipeve kombëtare dhe kryeskauti i ekipeve kombëtare, Dzemal Mustedanagic.

Përmes videokonferencës të pranishëm në këtë mbledhje ishin edhe trajneri i Kombëtares A, Edoardo Reja dhe stafi i tij teknik. Gjatë kësaj mbledhjeje u diskutua për programin e punës për periudhën në vazhdim dhe për ndryshimet e imponuara nga pandemia COVID-19.

Në muajin mars, Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit vendosi të pezullojë të gjitha aktivitetet futbollistike në vend si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Kjo ndërprerje detyroi edhe trajnerët e ekipeve kombëtare që të ndryshonin planet e punës për periudhën në vazhdim. Me rifillimin e kampionateve në fillim të qershorit edhe stafet e ekipeve kombëtare po rinisin përgatitjet me skuadrat respektive.

Në mbledhjen me Sekretarin e Përgjithshëm, Shulku, trajnerët koordinuan programet dhe kalendarët e aktiviteve për muajt e ardhshëm si edhe diskutuan për procesin e mbajtjes nën vëzhgim të rregullt të talenteve shqiptare./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.