Mbështetje me grante nga AZHBR/ Qendër e re ankandi e tregtimit të peshkut në Ulëz-Shkopet, përftime për banorët e vlerë për agroturizmin

 

TIRANË, 12 korrik /ATSH/- Qeveria përmes Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) kërkon t’i japë një dimension të ri zhvillimi, zonës piktoreske të Ulëz Shkopetit.

Mbështetja fokusohet në dy drejtime kryesore, atë të peshkimit, përmes ngritjes së qendrës së grumbullimit dhe shitjes së peshkut dhe diversifikimin e fondit pyjor të kësaj zone përmes financimit të fermerëve, me një grant prej 5 milionë lekë.

Artan Miza, drejtues i Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit, në këtë zonë, i tha ATSH-së, “se me organizimin e ri të peshkatarëve sipas rregullave të përcaktuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, peshkimi në këtë liqenin është disiplinuar dhe nuk ka raste të gjuetisë së paligjshme dhe prodhimi i peshkut po shënon rritje.

Miza shprehet se, Ulëz Shkopeti, është zona e tretë pas Shkodrës dhe Pogradecit, ku do të ngrihet qendra e re e grumbullimit dhe tregtimit me ankand të peshkut, me mbështetjen e fondeve nga AZHBR.

“Kjo qendër është instrumenti kryesor në zhvillimin e këtij aktiviteti ekonomik me përfitime të mëdha për banorët e zonës, por edhe një vlerë e shtuar për agroturizmin, me kulinarinë  tradicionale të peshkut”- tha Miza.

Peshkatari më i vjetër i kësaj zone, Preg Gjoni, theksoi rëndësinë e qendrës së re të grumbullimit të peshkimit. Gjoni i tha ATSH-së se “qendra e re e grumbullimit dhe tregtimit të peshkut do të motivojë peshkatarët e zonës të rrisin prodhimin, pasi do të ketë treg të sigurt shitje dhe me çmime të leverdisshme”.

“Do t’i rikthehemi kështu traditës së hershme ku peshkimi ishte ndër aktivitet kryesore për banorët e Ulëz Shkopetit” – u shpreh ai.

Ulëz Shkopeti tashmë ka status të veçantë, “zonë e mbrojtur”. Mbështetja me grante për fermerët nga AZHBR-ja, me një fond prej 5 milionë lekë, ka ndikuar në shtimin e fondit pyjor dhe mirëmbajtjen e pyjeve të kësaj zone, që janë një pasuri e madhe mjedisore dhe ekonomike për banorët.

Mirëadministrimi i fondit pyjor, ruajtja nga dëmtimet, zjarret dhe shtimi me pemë të reja, përmes programit mbështetës të AZHBR-së, “Për Diversifikimin e Pyjeve” është në harmoni me mjedisin dhe stimulon që kjo zonë të mund të zhvillohet dhe të jetë lehtësisht e vizitueshme nga turistët vendas dhe të huaj.

Llesh Lleshaj, kreu i Inspektoriatit të Pyjeve, në njësinë administrative Ulëz Shkopet tha për ATSH-në se “rreth 30 familje të zonës kanë përfituar nga grantet e AZHBR-së, për mirëadministrimin e fondit pyjor, që ato kanë në pronësi, duke u kujdesur për pyllëzime të reja, dhe mbrojtjen e tyre”.

68 km nga Tirana, Ulëz Shkopeti, është një ndër zonat me bukuri natyrore dhe historike të veçanta. Sipërmarrësit vendas shprehen se mbështetja përmes granteve në sektorin e peshkimit dhe të pyjeve, po nxit aktivitetin e agroturizmit dhe të sporteve të aventurës, që synojnë ta kthejnë liqenin Ulëz Shkopetit, në një vend ku zhvillohen pasionet si peshkimi, gara me kanoe, apo haiking, që janë mjaft të kërkuara edhe nga turistët e huaj.

Udhëtimi përgjatë liqenit 11 km të gjatë të imperesionon me pamjen e mrekullueshme të dy shkëmbinjve të mëdhenj që ngrihen në hyrje, në dy krahët e liqenit, ndërsa nga të gjitha anët rrethohesh nga gjelbërimi.

Aleks Malçi peshkatar njëherazi sipërmarrës në sektorin e agroturizmit, shprehet se mbrojtja e faunës dhe florës, ku dominojnë lloje të ndryshme të peshqve si krap, mustakë sardele etj, e kanë shndërruar Ulëz Shkpetin në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët e vendit dhe turistët e huaj.

“Situata e pandemisë e ka tkurrur fluksin e vizitorëve në këtë periudhë, kur vitet e kaluara sezoni i korrikut ishte mjaft i frekuentuar”, por gjithsesi thotë Malçi, kanë filluar të vijnë pushues nga qytete të tjera të vendit, kryesisht nga Tirana.

Liqeni Ulëz Shkopet ka një gjatësi prej 11 km, thellësia e tij arrin deri 55 m dhe gjerësi 240 metër. Kjo zonë 2 orë larg Tiranës të jep mundësi të kalosh një ditë apo fundjavë çlodhëse.

Ndërsa zhvillimi i zonës si destinacion i atraksionit turistik, po gjenerohet paralelisht me vullnetin e banorëve pasionantë nga njëra anë dhe të mbështetjes së institucioneve të shtetit nga ana tjetër, që kanë adresuar investime në inkurajimin e nismave turistike, në harmoni me natyrën duke ruajtuar të paprekur florën e faunën. /j.p/

e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.