SHBA – Pompeo: Kurrë nuk do ta harrojmë tragjedinë në Srebrenicë

UASHINGTON, 11 korrik /ATSH-AA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dërgoi mesazhin e tij sot në përkujtimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, në të cilin tha se pas 25 vitesh ata kanë detyrim të ndërtojnë një të ardhme më të qetë dhe më me prosperitet. 

“Sot po shënojmë një përvjetor të trishtuar, 25 vjet nga gjenocidi i Srebrenicës”, theksoi ai.

“SHBA-ja është angazhuar të mos e harrojë kurrë këtë tragjedi. Ne e ndajmë pikëllimin me familjet që kërkuan pa pushim drejtësi. për tetë mijë jetët e pafajshme të humbura, gjatë gjithë këtyre viteve”, shtoi Pompeo.

Pompeo nënvizoi se SHBA-ja qëndron pranë miqve të saj të shkëlqyer në Bosnje Hercegovinë.

“Një gjeneratë e tërë është rritur që nga ajo ditë e tmerrshme. Ata që mbajnë mend atë që ndodhi një çerek shekulli më parë, kanë detyrim të ndërtojnë një të ardhme më të qetë dhe të prosperuar në demokraci. Të ndërtojmë një të ardhme që do të jetë e mirë për të gjithë popujt, pavarësisht racës dhe fesë dhe të bashkohemi në vlerat e përbashkëta të bazuara në të drejtat e individëve”, theksoi Pompeo.

“Të bëjmë që e ardhmja, me shumë mësime nga Srebrenica të mbahet mend dhe të mos përsëritet kurrë, të jetë një dritë. Sot, SHBA shpreh përkushtimin e saj për këtë qëllim së bashku me partnerët e saj në Bosnjë e Hercegovinë dhe në botë”, shtoi Pompeo në mesazhin e tij..

Kujtojmë se më shumë se 8000 meshkuj muslimanë boshnjakë u vranë pasi forcat serbe sulmuan “zonën e sigurt” të Srebrenicës në korrik të vitit 1995, pavarësisht pranisë së trupave holandeze të ngarkuara për të vepruar si paqeruajtës ndërkombëtarë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.