Hajdari publikon videon e Bashës: Gënjeu shqiptarët për listat e hapura

TIRANË, 11 korrik/ATSH/- Deputetja e PD-së, Rudina Hajdari, gjatë një konference sot për gazetarët publikoi një video të kreut të PD-së, Lulzim Basha, duke deklaruar se ai po gënjen shqiptarët në lidhje me listat e hapura.

Hajdari tha se para 3 vitesh, Basha u premtoi shqiptarëve hapjen e tyre, ndërsa një ditë më parë doli kundër hapjes së listave.

Sipas saj, në politik kërkohet një qëndrim i qartë, por që për Bashën kjo është e vështirë pasi jo vetëm nuk është koherent por nuk mban premtimet e bëra qytetarëve.

“Që në 2017 kur PD hapi fushën elektorale, premtoi lista të hapura dhe se lista do të zgjidhej nga qytetarët dhe jo më kryetari i partisë. Një zotim që unë e kam marrë seriozisht dhe se kjo do të jetë beteja që unë kam vendosur për shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme”, tha Hajdari.

Sipas saj, ky ishte një premtim që nuk u mbajt, duke shtuar se në politikë duhet të mbash një qëndrim të qartë dhe të jesh koherent me publikun.

“Nuk e di nëse e kam këtë prej origjinës apo i ka ardhur koha që të mbahen premtimet ndaj qytetareve. Dua t’i them qytetarëve që ajo që kërkoj unë të dal si kandidate në një listë të mbyllur ashtu siç u futa në një të tillë si e bija e Azem Hajdarit, por që nesër të dal si Rudina Azem Hajdari që nuk ka frikë nga vota e qytetarëve dhe ta marrë atë votë me meritë të plotë“, tha Hajdari.

“U tha se listat e hapura janë një ndryshim i madh që duan kohë për tu implementuar. Kjo nuk është e vërtetë. Kemi që në 2019 që objekti i reformës zgjedhore u ndryshua me këmbëngulje të madhe që ne të futnim ndryshimin e sistemit dhe hapjen e listave. Më pas u pasua me iniciativën qytetare për hapjen e listave. Ironia këtu është që PD, LSI edhe pse braktisën mandatet i përdorën qytetarët për të imponuar një agjende që nuk kishin asnjë rol në parlament. Pra ata braktisën vullnetin e qytetarëve dhe i përdoren njerëzit për të bërë pazar”, shtoi Hajdari.

“Nëse PD dhe LSI kërkojnë sërish të imponohen duke thënë se ata do kenë monopolin e opozitës kjo për mua shkon në një shterpë sepse janë në interesa të ngushta familjare. Unë nuk jam në parlament për të mbështetur interesa familjare, por për të përfaqësuar interesat e qytetarëve.”,- bëri të ditur Hajdari.

“Më vjen keq që Basha nuk arriti dot që të kishte lartësinë e duhur për të mbështetur iniciativën për listat e hapura. Basha nuk e mbajti këtë premtim dhe sot goditi këtë premtim që vetë e ka bërë. Unë mendoj që një politikan duhet të ketë qëndrueshmëri. Listat e hapura është një premtim që po i jepet qytetarëve shqiptarë që nesër ata të zgjedhin atë person që meriton të shkojë në parlament”,- tha Hajdari gjatë konferencës për mediat.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.