Porti i Durrësit, rritje e volumit tregtar për mallra të caktuara në 6-mujorin e parë të vitit

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Në portin e Durrësit 6 muajt e parë të 2020 kanë qenë pozitivë për volumin e përpunimit të disa mallrave që kanë njohur rritje me 12-15%, çka sjell dhe rritje të të ardhurave.

Kështu theksoi dje drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i portit të Durrësit, Pirro Vengu, në konferencën e radhës online me temë: ‘’Visio-Koktej me anëtarët e CCI France-Albanie & Dëshmitë e Kompanive’’ të organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Francë – Shqipëri.

Duke folur për ndikimin e pandemisë në portin e Durrësit, drejtor i APD-së, Vengu, theksoi se “ky ka qenë një 6-mujor krejt i pazakontë dhe i është dashur të investojnë një pjesë të konsiderueshme të fondeve për sigurinë shëndetësore në facilitetin portual. Këto masa sigurie shëndetësore do të vazhdojnë në muajt dhe në vitet në vijim, por padyshim që kërkohet një investim në kapitale të konsiderueshme për të përballuar nevojat qoftë të transportit të mallrave, sigurisë shëndetësore të ekuipazheve apo pikat e kalimit kufitar”.

Ai u shpreh gjithashtu se është vënë re një rritje pak artificiale e volumeve tregtare në rrugë detare, për faktin se ka pasur kufizime në rrugë tokësore dhe në rrugë ajrore.

Nga këndvështrimi i Portit të Durrësit, ky 6-mujor ka qenë shumë pozitiv, pasi në disa mallra ka pasur 12-15% rritje volumesh, çka ndihmon në rritjen e të ardhurave.

Në 5-mujorin e parë, janar-maj 2020, vihet re një rritje e përdorimit të Portit të Durrësit nga eksportuesit dhe importuesit e Kosovës.

Në lidhje me transportin e pasagjerëve, Vengu tha se ai ka rifilluar gradualisht në fund të muajit qershor, për disa kategori shtetasish.

Për të pasur mundësinë të përballen me çdo lloj situate të papritur, tashmë në Portin e Durrësit është shtuar edhe numri i mjekëve që do të jenë staf permanent.

Në konferencë ishte e pranishme edhe Elisabeta Nezaj, avokate dhe Menaxhere pranë A.R.S Legal & Financial Services, tregoi për eksperiencën e tyre gjatë kësaj periudhe dhe për rikthimin gradual në punë.

Nezaj tha se “ndër masat e para që ju deshën të ndërmerrnin për të reaguar si masë mbrojtëse ndaj situatës, ishte moblizimi i stafit për të punuar nga shtëpia, për të qenë gjatë gjithë kohës në dispozicion të klientëve për t’u ofruar atyre shërbime në mënyrë të vazhdueshme dhe profesionale, dhe në të njëjtën kohë për të qenë të sigurtë për shëndetin e të gjithë stafit”.

A.R.S është e ndarë në dy departamente, në atë ligjor dhe atë financiar dhe secili departament ka hasur vështirësi në këtë situatë të pazakontë.

“Departamenti ligjor, në mars, përpara se të fillonin masat emergjente të karantinimit, ka marrë një numër të konsiderueshëm kërkesash nga klientë ndërkombëtarë për t’i asistuar në procesin e investimit në vendin tonë, por situata e krijuar nga pandemia Covid-19 bëri që këto bashkëpunime të shtyheshin për më vonë, në një afat të pacaktuar”, – theksoi ajo.

Sipas saj, për t’i qëndrurar sa më pranë klientëve të tyre, në kushtet e përballjes me një situatë të vështirë, krejtësisht të panjohur, A.R.S Legal & Financial ka ofruar konsulencë ligjore dhe financiare edhe pa pagesë, për t’i mbajtur të informuar në të gjitha aspektet ligjore por jo vetëm, që preknin sipërmarrjet e tyre.

“Në fillim të qershorit, kur situata dukej se po normalizohej, u vu re dhe një kthim i interesit të të huajve në procesin e investimit të mbetur pezull”, përfundoi Nezaj.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.