POLONI – Duda dhe Trzaskowski në përpjekjet e fundit përpara balotazhit

VARSHAVË, 10 korrik /ATSH-DPA/ – Kandidatët presidencialë të Polonisë, Andrzej Duda, në detyrë dhe kryetari i bashkisë së Varshavës, Rafal Trzaskowski, do të bëjnë një përpjekje përfundimtare sot për të mobilizuar votuesit, ditën e fundit të fushatës presidenciale përpara votimit të së dielës.

Në mesnatën e sotme do të vendoset një heshtje parazgjedhore, ku publikimi i sondazheve dhe fushatat elektorale do të ndalohen.

Duda planifikon të përfundojë fushatën e tij në juglindje të vendit, ku mbështetja është edhe më e fortë.

Ai do të fillojë ditën e tij në rajonin e Karpateve, para se të udhëtojë në veri në qytetin e Zamosc, ku do të takojë votuesit para mesnatës.

Trzaskowski planifikon të bëjë fushatë në qytete të vogla në jugperëndim.

Anketat nga java e fundit i japin Trzaskowskit midis 45 dhe 47,5% mbështetje, ndërsa Duda mund të llogarisë në mes 44 dhe 47,3% të votave.

Rreth 5-11% e votuesve janë ende të pavendosur.

Zgjedhjet konsiderohen një plebishit për ose kundër qeverisë së partisë nacional-konservatore ”Ligj dhe Drejtësi” (PiS).

Një fitore e Dudas do të konsolidojë kontrollin e partisë në pushtet, ndërsa humbja e tij mund të fillojë erozionin e qeverisë së PiS. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.