Miratohet në parim nisma e opozitës parlamentare për ndryshime kushtetuese/ Manja: Shkon në favor të qytetarëve

TIRANË, 10 korrik/ATSH-Maela Marini/ Nisma e 28 deputetëve të opozitës parlamentare për ndryshimet kushtetuese në hapjen e listave dhe eliminimin e koalicioneve parazgjedhore u miratua sot në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit.

16 deputetë votuan pro në parim kësaj nisme, asnjë abstenim, kurse kundër ishte vetëm deputeti Adriatik Alimadhi.

Relatorët e mazhorancës e quajtën nismën në favor të qytetarëve, pasi, sipas tyre, votuesit mund të zgjedhin kandidatin që dëshirojnë dhe partitë e vogla nuk do të kenë më mundësi të vegjetojnë në listat e partive të mëdha për aq kohë sa hiqet koalicioni.

Kryetari i komisionit të Ligjeve, Ylli Manja u shpreh se “duhet të fokusohemi te thelbi i nismës, sepse sot jemi në diskutimin e nismës në parim dhe jo në formalizimin e nismës”.

“Nuk duhet të spostohet vëmendja nga thelbi i kësaj nisme shumë të rëndësishme që kanë depozituar 28 deputetë të opozitës. Duhet të fokusohemi te nisma, jemi në diskutimin në parim të një nisme që në fakt sot ka gjithë vëmendjen e opinionit publi”, tha ai.

Manja tha se “nëse dikush kërkon koalicionet parazgjedhore, sepse do të vegjetojë 30 vjet nën ombrellën e një partie të madhe natyrisht që është i lirë ta kërkojë koalicionin parazgjedhor ose jo”.

“Kush ka interesa të tjera për të konkurruar i vetëm sigurisht që mund të kërkoj heqjen e koalicioneve parazgjedhore, por thelbi i kësaj nisme është liria dhe barazia e votës së qytetarëve shqiptarë, ashtu siç e kam kuptuar unë”, tha Manja.

Ai u shpreh se “qytetarët shqiptarë kërkojnë të dinë kë subjekt do votojnë dhe kë deputet do të çojnë në Kuvendin e Shqipërisë”.

“Elementët e tjera të orekseve politike, të vogla apo të mëdha janë pjesë e kësaj nisme në diskutimin në parim”, tha ai.

Nga e hëna do të nisin diskutimet nen për nen dhe deputetët e mazhorancës do të paraqesin edhe propozimet e tyre, ndërsa më 14 korrik do të dilet me një relacion që do t’i dërgohet seancës plenare nëse do të votohen ose jo ndryshimet kushtetuese. Votimi final është në datën 30 korrik, kur do të votohet pro ose kundër nismës së opozitës parlamentare. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.