Reforma Zgjedhore/ PD: Të respektohet marrëveshja e ndërmjetësuar nga SHBA dhe BE

TIRANË, 9 korrik /ATSH – I. Vata/ Partia Demokratike deklaroi sot se “palët në Këshillin Politik kanë firmosur marrëveshjen për Reformën Zgjedhore më 5 qershor, me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e SHBA dhe BE. Partia Demokratike nuk është kundër diskutimit për rishikimin e sistemit zgjedhor, por kjo kërkon një reformim të plotë të sistemit kushtetues për të cilën PD ka një propozim konkret”.

Nëpërmjet një njoftimi për mediet, PD thekson se “megjithatë, kjo nuk mund të ndodhë në kushtet e kriminalizimit të parlamentit dhe të qeverisjes, në kushtet e blerjes së votës nga pushteti dhe mosndëshkimit të këtij krimi nga drejtësia. Reforma kushtetuese, ku përfshihet edhe çdo ndryshim i mundshëm i sistemit zgjedhor nuk mund të jetë një pazar i fundit të korrikut. Ky proces duhet të jetë transparent dhe vendimmarrja duhet t’u përkasë qytetarëve, përmes referendumit popullor. OSBE/ODIHR ka konfirmuar se ndryshime të tilla nuk mund të ndodhin një vit para zgjedhjeve”.

Po ashtu, PD shprehet se “ndaj, hapja në këtë moment, e diskutimit për sistemin zgjedhor është vetëm alibi e Edi Ramës për të vonuar kodifikimin në parlament të dakordësisë së 5 qershorit, që është një kërkesë e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, si dhe 1 nga 15 kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit me BE”.

“Çdo veprim i njëanshëm në këtë drejtim do të përbënte prishje të marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit, me pasoja për vendin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë”, shprehet PD. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.