TIRANË, 9 korrik/ATSH/ Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Duncan Norman, zhvilloi sot një takim në Gjykatën e Lartë, me disa nga anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Në emër të të gjithë anëtarëve të këshillit, Vitore Tusha ka shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e saj për asistencën e deritanishme të dhënë nga Britania e Madhe në mjaft sektorë të sistemit të drejtësisë, veçanërisht në proceset e Reformës në Drejtësi.
Tusha e njohu ambasadorin Norman me problematikat dhe vështirësitë që ka hasur gjatë këtyre viteve të krijimit, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, dhe theksoi angazhimin maksimal të anëtarëve të tij, si gjatë vitit 2019, kur ky këshill vendosi themelet e një procesi shumë të rëndësishëm kushtetues, atë të përzgjedhjes së anëtarëve të parë në Gjykatën Kushtetuese.
Procesi për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese është me rëndësi të veçantë për funksionimin e shtetit ligjor dhe për këtë arsye, bazuar edhe në rekomandimet e Komisionit të Venecias, KED 2020 ka marrë të gjitha masat për përfshirjen e tyre në aktet rregullatore të KED.
Gjatë takimit ambasadori Norman u shpreh se Reforma në Drejtësi është një moment shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, proces i cili duhet të çohet deri në fund.
Ambasadori britanik theksoi se “KED për nga natyra e vet ka patur gjithmonë vëmendjen e ndërkombëtarëve, duke shprehur me këtë rast mbështetjen e tij publike dhe personale në ndihmë të këtij këshilli”.
Norman vlerësoi angazhimin e këshillit për të reflektuar rekomandimet e Komisionit të Venecias, në mënyrë që procesi i emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese të ndodhë sa më parë.
Njëkohësisht gjatë takimit ambasadori Norman shprehu vullnetin për vijimin e asistencës së Britanisë së Madhe në drejtim të organeve të drejtësisë në Shqipëri, në çdo kohë. /k.s/j.p/r.e/