Taskforcë për Biodiversitetin/ Të rimendojmë marrëdhënien mes ekonomisë dhe natyrës

TIRANË, 8 korrik/ATSH/ Shqipëria, si dhe Ballkani Perëndimor si rajon, ka një biodiversitet të pasur, duke përfshirë shumë lloje të kërcënuara, të rralla dhe endemike dhe ekosisteme relativisht të mëdha të padëmtuara.

“Nga natyra përveç përfitimeve të tjera, marrim ushqim dhe ujë, energji dhe ilaçe, mbështetje për rregullimin e klimës dhe zbutjen e rrezikut nga katastrofat. Ekziston nevoja për të njohur vlerat dhe për ta vendosur natyrën në qendër të politikës rajonale”, theksuan anëtarët e taskforcës për Biodiversitetin e Europës Juglindore gjatë konsultimeve në internet për Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, të mbajtur në maj të vitit 2020.

Pritet që Axhenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor të miratohet nga autoritetet përkatëse para vjeshtës së vitit 2020.

Pandemia e fundit po dëshmon qartë varësinë e mirëqenies dhe jetesës tonë nga gjendja e natyrës. Duke kërkuar mënyra për të ringjallur ekonominë tonë pas ndërprerjes së detyruar të COVID-19, ne kemi mundësinë që të rimendojmë këtë marrëdhënie.

“Duke bashkuar përpjekjet tona përmes taskforce për Biodiversitetin për Europën Juglindore, ne mund të përparojmë përpjekjet për ruajtjen në nivel rajonal dhe të punojmë së bashku për të arritur një përdorim të qëndrueshëm të biodiversitetit. Natyra e shëndetshme dhe biodiversiteti i ruajtur janë thelbësore për rimëkëmbjen ekonomike të shoqërisë sonë”, tha Shpresa Harasani, anëtare e taskforcës për Biodiversitetin të Europës Juglindore nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Ndërsa Tanja Miščević, zëvendëssekretare e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal tha se “ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në formimin e Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë në proces taskforcën e Biodiversitetit të pajisur me ekspertizë dhe përvojë teknike të kërkuar për këtë detyrë”.

Gjatë hapjes së konsultimeve me Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Europian (DG) përgjegjës për procesin, DG NEAR dhe DG Environment dhe të moderuara nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Miščević shtoi se “nisur nga Marrëveshja e Gjelbër Europiane, sigurisht që duhet t’i jepen ngjyra të realitetit në rajonit tonë dhe të plotësojë Strategjinë 2030 të Europës Juglindore dhe integrimin e mëtejshëm ekonomik rajonal”.

Strategjia e Biodiversitetit të BE-së 2030, një plan gjithëpërfshirës për mbrojtjen e natyrës dhe kthimin e degradimit të ekosistemeve, botuar si pjesë e Marrëveshjes së Gjelbër Europiane do të ndihmojë në formimin e Axhendës. Strategjia është vendosur të krijojë zona të mbrojtura për të paktën 30% të tokës dhe detit në Europë, të rikthejë ekosistemet e degraduara dhe të zhbllokojë 20 miliardë EUR/vit për biodiversitetin përmes burimeve të ndryshme, përfshirë fondet e BE-së, fondet kombëtare dhe private.

“Është inkurajuese të shohësh objektiva ambiciozë dhe të matshëm për ruajtjen dhe restaurimin në Strategjinë e re të Biodiversitetit të BE-së dhe se ka një angazhim të fortë nga ana e BE-së për gjelbërimin e axhendës së Ballkanit Perëndimor. Anëtarët e IUCN dhe BDTF janë të gatshëm ta mbështesin atë, duke kontribuar në përcaktimin e përparësive dhe duke marrë pjesë në diskutime mbi mobilizimin e burimeve”, – theksoi Boris Erg, Drejtor i Zyrës Rajonale të IUCN për Europën Lindore dhe Azinë Qendrore.

Themeluar në vitin 2017, taskforca për Biodiversitetin e Evropës Juglindore funksionon si një organ teknik dhe këshillues i Grupit Rajonal të Punës për Mjedisin (RWG Env) të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

“Linjat e mundshme të veprimit për ne, mund të jenë të informojmë mbi ekosistemet rajonalë” rikthimin potencialin dhe analizimin e gjendjes së zbatimit të angazhimeve të biodiversitetit,” theksoi Dejan Radošević, Kryetar i Taskforce për Biodiversitetin e Europës Juglindore.

Ai u shpreh se “është gjithashtu e rëndësishme të përgatitet një pozicion i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në takimin e 15-të të Konferencës së Palëve (COP 15) të Konventës së BE për Diversitetin Biologjik”. /k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.