Shqipëria, përparim në përmbushjen e kushteve që duhen plotësuar para Konferencës së parë Ndërqeveritare

TIRANË, 8 korrik/ATSH/ “Shqipëria ka bërë tanimë përparim në përmbushjen e kushteve që duhen plotësuar para Konferencës së parë Ndërqeveritare”.

Komisioneri për Zgjerimin e BE, Olivér Várhelyi prezantoi në një intervistë për DW përmbajtjen e draftkuadrit për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Komisioni Europian ia vuri në dispozicion javën e kaluar Këshillit Europian, draftin e kuadrit të negociatave për anëtarësim në BE, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Prezantimi i draftit të kornizave negociuese për Shqipërisë dhe Maqedoninë e Veriut në Këshillin e BE shënon një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Europian. Propozimet tona bazohen në metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, që kemi paraqitur në shkurt, për ta bërë procesin e pranimit më të besueshëm, më dinamik, më të parashikueshëm dhe me një orientim më të fuqishëm  politik. Pres me padurim diskutimet me shtetet anëtare dhe mbajtjen sa më shpejt që të jetë e mundur të Konferencave të para Ndërqeveritare me dy vendet. E ardhmja e tyre qëndron qartë në Bashkimin Europian dhe unë jam i sigurt që ato do të vazhdojnë të zbatojnë reformat në rrugën e tyre drejt BE, siç kanë bërë deri tani”, u shpreh Komisioneri.

Sipas Varhelyi-t, “çdo kuadër negociues vendos direktiva dhe parime për negociatat e hyrjes në BE për secilin vend kandidat dhe është i ndarë në tri pjesë: në pjesën e parë janë parimet drejtuese, kryesore të negociatave të hyrjes në BE; në pjesën e dytë, thelbi i EU acquis; në të tretën, procedura e negociatave. Qëllimi i negociatave është që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të adaptojnë EU Acquis në tërësinë e tij, ta zbatojnë atë plotësisht dhe përforcojnë zbatimin e tij gjatë procesit të hyrjes në BE”.

“Draftkuadret negociuese përpilohen duke u mbështetur në përvojën e zgjerimeve të mëparshme të BE dhe të negociatave të pranimit në vazhdim e sipër. Ato integrojnë metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, marrin parasysh evolucionin e EU Acquis, dhe reflektojnë si duhet meritat e vetë vendeve dhe situatat e tyre specifike”, tha ai.

Várhelyi sqaroi se draftkuadret e bisedimeve për të dy vendet janë shumë të ngjashme me njëri-tjetrin, por ato marrin parasysh situatat specifike të secilit prej dy vendeve.

Në lidhje me metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, komisioneri Várhelyi u shpreh se, “metodologjia e rishikuar synon ta bëjë procesin e zgjerimit më të besueshëm, me një orientim më të fuqishëm politik, më dinamik dhe të parashikueshëm.

I pyetur nëse është Shqipëria në rrugën e duhur Várhelyi tha se, “në përgjithësi dhe pavarësisht nga sfidat që paraqet shpërthimi i COVID-19, Shqipëria ka vazhduar të tregojë angazhimin e saj dhe të arrijë rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme në fushat kryesore, të identifikuara në konkluzionet e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Këshillit Europian, të marsit 2020”.

“Në mënyrë të veçantë, Shqipëria ka bërë tanimë përparim në përmbushjen e kushteve që duhen plotësuar para Konferencës së parë Ndërqeveritare. Arritja e fundit ishte marrëveshja ndërpartiake për reformën zgjedhore, me pjesëmarrjen e të gjitha gjitha partive politike, brenda dhe jashtë parlamentit. Kjo tregon përkushtim, dëshmon gjithashtu se Shqipëria po jep rezultate edhe në kohë nga më të vështirat. Ne kemi besim se Shqipëria do të vazhdojë të zbatojë me sukses reformat e nevojshme. Ende nuk është caktuar asnjë datë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare, e cila duhet të thirret sa më shpejt që të jetë e mundur pas miratimit të kuadrit të negociatave nga Këshilli Europian”, u shpreh ai.

“Është shumë e rëndësishme, është thelbësore që Shqipëria të mbështetet në arritjet e fundit dhe të vazhdojë përparimin e reformave, në fushat e sundimit të ligjit, gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Komisioni do të vazhdojë të monitorojë dhe mbështesë autoritetet shqiptare në përpjekjet e tyre”, theksoi komisioneri Várhelyi.

/gj.mima/j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.