Rimëkëmbja nga pandemia dhe tërmeti/ Shqipëria parashikon rritje të shpenzimeve kapitale me 7.7%

TIRANË, 8 korrik/ATSH/ Shqipëria parashikon rritje të shpenzimeve kapitale me 7.7%, në funksion të rimëkëmbjes nga COVID 19 dhe rindërtimit të vendit nga tërmeti.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj zhvilloi sot një bashkëbisedim me ministrat e Ballkanit Perëndimor dhe kolegët e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe Komisionit Europian, ku u diskutua rreth raportit “Government at a Glance”, të sapo publikuar për ecurinë e financave publike dhe reformës së administratës publike.

Sipas ministres Denaj, financat e qëndrueshme publike të rajonit kanë qenë një avantazh edhe në kuadër të krijimit të hapësirave fiskale gjatë kohës së pandemisë.

“Shqipëria parashikon rritje të shpenzimeve kapitale me 7.7%, në funksion të rimëkëmbjes nga COVID-19 dhe rindërtimit të vendit nga tërmeti. Konsolidimi fiskal i ekonomisë shqiptare do të vijojë në të ardhmen e afërt, në funksion edhe të përmbushjes së nevojave të qytetarëve”, bëri të ditur ajo.

Denaj tha se vlerësimet pozitive për qasjen dixhitale të rajonit janë reflektuar maksimalisht në raport.

“Shqipëria deri në fund të 2020-ës do të ofrojë përmes portalit e-Albania 91% të shërbimeve qeveritare për qytetarët dhe bizneset”, informoi Denaj.

/a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.