Projekt pilot/ Miratohen 300 kuota ushqimore për nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri”, Korçë

TIRANË, 8 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot projektin pilot “Për masat për nxitjen e të nxënit, të vijueshmërisë dhe përparimit të nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri” Korçë për vitin shkollor 2020-2021″.

Këshilli i Ministrave miratoi 300 bursa/kuota ushqimore për nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri”, Korçë, për vitin shkollor 2020-2021.

Sipas vendimit, vlera e bursës/kuotës ushqimore ditore është 76 lekë në ditë për nxënës, për mbulimin e kostos ushqimore. Vlera e bursës/kuotës ushqimore, do t’u ofrohet nxënësve në mjediset e shkollës, në formën e shërbimit ushqimor ditor, të paketuar për çdo nxënës, për 170 ditë mësimore.

Zyra Vendore Arsimore Parauniversitare Korçë-Pustec, në fillim të vitit shkollor do të dërgojë pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore, bashkia Korçë, listën emërore të nxënësve që ndjekin mësimin në këtë institucion arsimor, përfitues të bursës/kuotës ushqimore.

Lista emërore detajohet sipas klasave, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Një kopje e kësaj liste dërgohet në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë si dhe në Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Korçë.

Fondet publike për mbulimin e shpenzimeve për bursat/kuotat ushqimore me qëllim zbatimin e këtij vendimi, rialokohen nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për bashkinë Korçë dhe administrohen nga kjo bashki.

Zyra Vendore Arsimore Parauniversitare Korçë-Pustec dhe drejtoria e shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri”, Korçë, organizojnë aktivitete ekstrakurrikulare, me qëllim nxitjen e të nxënit, të vijueshmërisë dhe të përparimit të nxënësve të kësaj shkolle.

Efektet financiare të mbulohen nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në programin buxhetor të arsimit 9-vjeçar./m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.