Miratohet propozimi/ Qendër për Studime dhe Publikime për Arbëreshët dhe Komitetin Shtetëror të Diasporës

TIRANË, 8 korrik/ATSH/ – Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi sot në parim propozimin e deputetit të Partisë Socialiste, Adnor Shameti “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për diasporën”, ku parashikohet ngritja e Qendrës për Studime dhe Publikime për Arbëreshët dhe Komiteti Shtetëror i Diasporës.

Shameti, sqaroi se nisma e tij ligjore duhet trajtuar bashkërisht edhe me propozimin për një tjetër amendim nga Pandeli Majko, ministër i Shtetit për Diasporën, lidhur me bursat e studimeve të studentëve shqiptarë të diasporës dhe medaljet për kontribute të veçanta të individëve të diasporës.

Majko, si ministër, sqaroi për komisionin që vendimin për krijimin e qendrës nuk e ngarkon buxhetin e shtetit, pasi është i ngritur prej vitit 2019. Po njësoj edhe Komiteti Shtetëror nuk paraqet ngarkesë shtesë për buxhetin e shtetit. Ministri Majko u shpreh në mbështetje të dy propozimeve teknike të deputetit Shameti.

Majko paraqiti edhe propozimin shtesë për kompetencën e shtuar të ministrit të Diasporës për t’i propozuar Këshillit të Ministrave të drejtën për dhënie bursash të studentëve të diasporës, që duan të studiojnë në Shqipëri, si edhe të drejtën për të akorduar tituj vlerësimi për çmimet dhe medaljet për kontribute të veçanta për individë të diasporës, që kontribuojnë në përkrahje të interesave tona kombëtare.

Relatori i projektligjit, Alket Hyseni, shprehu dakordësinë me transpozimin në ligj të dy institucioneve ekzistente, propozimin e Shametit, por gjithashtu shprehu mbështetjen në parim edhe me dy propozimet e ministrit Majko.

Komisioni ra dakord, që mbledhja e sotme të kalonte në parim tre ndryshimet pa barrë financiare shtesë dhe mënjanuan propozimin e bursave të diasporës, për t’u kaluar si amendim i propozuar nga deputeti Majko në seancë plenare.

Komisioni shqyrtoi në mbledhjen e sotme edhe projektligjin “Për ratifikimin e Konventës shumëpalëshe (MLI) për zbatimin e masave që lidhen me marrëveshjet tatimore për parandalimin e erozionit të bazës dhe transferimit të fitimeve (BEPS)”.

E pranishme në mbledhjen e komisionit për paraqitjen e projektligjit të parë ishte zëvendësministrja e Financave dhe e Ekonomisë, Vasilika Vjero.

Vjero u shpreh se, “kjo konventë është një nga produktet e OECD-së dhe G20 për të trajtuar strategjitë e planifikimit tatimor, të cilat përdorin boshllëqet dhe mospërputhjet në rregullat tatimore për të zhvendosur artificialisht fitimin në vende ku shkalla e tatim-fitimit është e ulët apo nuk ka fare. Konventa shërben si një mjet edhe për Shqipërinë për parandalimin e erozionit të bazës së tatueshme dhe të transferimit të fitimit”. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, ky projektligj u miratua nga anëtarët e pranishëm.

Mbledhja e sotme, në vijim të masave protokollare anti-Covid, u zhvillua përmes platformës elektronike të komunikimit Cisco Webex.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.