Kapen duke transportuar 6 emigrantë, 3 në pranga

TIRANË, 8 korrik/ATSH-A. Fortuzi/-Vijon operacioni i koduar “Perimetri”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.

Sipas njoftimit të Policisë, 3 persona janë ndaluar duke duke transportuar 6 emigrantë të paligjshëm.

Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:​  K. N., 27 vjeç, banues në Gjadër, Lezhë, (i dënuar më parë për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe i municionit” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”).  G. Gj., 27 vjeç, banues në Rilë, Lezhë. R. M., 30 vjeç, banues në Lezhë (i dënuar më parë për “Vjedhja”).

Shtetasit e mësipërm, janë kapur nga shërbimet e policisë në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, në afërsi të fshatit Hudënisht, duke transportuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në drejtim të Tiranës, me tre automjete, gjashtë emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit prej 900 euro secilit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Gjithashtu gjatë kontrollit të dokumentacionit të këtyre shtetasve, rezultoi se shtetasi K. N., drejtonte mjetin pa leje drejtimi dhe me kontratë qiraje të mjetit të dyshuar si të falsifikuar, e cila iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.