FOKUS – Castex: Rikufizim i pjesshëm në rast të një vale të dytë COVID-19

PARIS, 8 korrik /ATSH-AFP/ – Kryeministri francez, Jean Castex përjashtoi idenë e një kufizimi tjetër të plotë në rast të një vale të dytë të koronavirusit, veçanërisht për të ruajtur ekonominë, duke preferuar masa të veçanta.

“Nuk do të bëjmë një rikufizim ashtu si bëmë në muajin mars”, theksoi Castex në një intervistë për stacionin televiziv BFM TV.

“Një kufizim absolut ka pasoja të tmerrshme, njerëzore, ekonomike, por do të jetë i pjesshëm në rast të një vale të dytë të epidemisë, për të cilën duhet të përgatitemi”, theksoi ai.

“Nuk do ta përballonim si ekonomikisht dhe nga ana sociale një rikufizim absolut dhe të përgjithshëm ashtu si e përjetuam”, shtoi ai.

Jean Castex theksoi se do të shkonte të dielën në Guajana, rajon francez në kufi me Brazilin, e prekur nga epidemia.

“Do të shkoj të dielën në Guajana. Atje situata nuk është e mirë”, pranoi kryeministri.

Më shumë se 130 personel shëndetësor ka mbërritur tashmë në Guajana.

Koronavirusi ka shkaktuar rreth 30 000 të vdekur në Francë, që është përballur me një kufizim strikt dy mujor mes marsit dhe majit./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.