SERBI – Vuçiç shpall një shtetrrethim të ri

BEOGRAD, 7 korrik /ATSH-AFP/ – Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç njoftoi sot për një shtetrrethim të ri në fundjavë, për shkak të rritjeve alarmuese të rasteve me COVID-19 dhe një numri rekord vdekjesh në një ditë të vetme.

Autoritetet raportuan vdekjen e 13 personave sot, raporti më i madh ditor i njoftuar zyrtarisht deri më tani.

“Askush nuk mund t’i durojë këto shifra. Ne nuk duam t’i vrasim mjekët tanë”, tha Vuçiç para gazetarëve, duke shtuar se spitalet ishin të mbushura me rreth 4 000 pacientë.

“Situata është alarmuese, veçanërisht në Beograd. Nga e premtja, ne do të kemi një shtetrrethim të gjatë, i cili do të përfundojë të hënën”, shtoi ai.

Ekipi qeveritar për Menaxhimin e Krizave do të vendosë nëse masa duhet të zbatohet për Beogradin ose për të gjithë vendin./ /ervo/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.