Rindërtimi/ KombinArt projekt ambicioz, jo vetëm strehim i banorëve të prekur nga tërmeti, por vizioni për Tiranën e gjeneratës tjetër


TIRANË, 7 korrik/ATSH-Maela Marini/ “Plani për rindërtimin e Kombinatit është një projekt shumë ambicioz që më shumë se një projekt rindërtimi është një vizion për Tiranën e gjeneratës tjetër”.

Kështu e cilësoi sot Kryeministri Edi Rama, KombinArt, planin për rindërtimin e Kombinatit një nga zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në Tiranë, e cila do të kthehet në një pol të ri zhvillimi ekonomik, social, kulturor.

KombinArt parashikon ndërtimin e apartamenteve të reja falas për gjithë familjet e prekura dhe një potencial zhvillimi për akomodimin e 20 500 banorëve; 4 institucione të reja arsimore; 9 pika sociale e kulturore.

Rama tha se, KombinART do të ketë 5 sheshe publike me shërbime të reja: Sheshi i Teknologjisë (TECH Square), Sheshi i Muzeut (Museum Square), Sheshi Universitar (University Square), Sheshi Garibaldi (Garibaldi Square) dhe Sheshi i Gastronomisë (Gastronomy Square”.

“Projekti i Kombinatit tregon shumë për atë që ne duan të bëjmë. I jam  falënderues Markos dhe Stefano Boerit, apo edhe Mario Kuçinelës për projektin e Spitallës, projekte masive edhe për qytete të mëdha të Europës. Janë ndërhyrje realisht masive dhe shumë të ndërlikuara që na japin mundësi të akomodojmë njerëzit që janë pa shtëpi, institucionet e dëmtuara që faktikisht janë një numër jo i vogël, si dhe të krijojmë një infrastrukturë të re”, tha Rama.

Ai u shpreh se kemi mundësi të zgjerojmë këndvështrimin mbi dy qytetet më të mëdha të Shqipërisë, Tiranën e Durrësin, duke krijuar pole dhe pika të reja referimi.

“Jo thjesht për banorët e vet, por duke krijuar destinacione edhe për jetën e natës dhe shumë aktivitete të tjera, falë gjithë atyre ndërhyrjeve të parashikuara që i përkasin vizionit të vitit 2030, jo harkut kohor të një viti apo diçka më shumë se aq, që na duhet për të akomoduar njerëzit”, shtoi ai.

Rama siguroi se “ne do ta fillojmë nga njerëzit dhe shumë shpejt, çështje javësh shpejt fillojmë ndërtimin e shtëpive të para individuale në shumë zona”.

“Do të fillojmë jo thjesht aty ku po bëhet infrastruktura në zonat reja të qendërzuara si në Fushë Krujë, Thumanë, Bubq, Vaqarr etj, por edhe ato shtëpi të pikëzuara në territor në trojet ku është rrënuar shtëpia e vjetër”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.