TIRANË, 7 korrik /ATSH/ Bashkia e Pogradecit me fonde nga buxheti i saj po vijon punën për rehabilitimin e rrugës së varrezave publike në Homezh, njësia administrative Proptisht, që është dëmtuar si pasojë e rrëshqitjes së dherave.
Aktualisht punimet janë përqendruar në sistemimin e ujërave që vijnë nga kodra dhe njëkohësisht në rehabilitimin e rreth 2 km rrugë në këtë zonë, që është një aks i rëndësishëm dhe mundëson lidhjen me qendrën e komunës në një kohën më të shpejtë me fshatrat Rrodokal Posht, Rrodokal Siper, Homezh e Letovë.
Investimi i vjen në ndihmë mbi 700 banorëve të këtyre fshatrave në lehtësimin e qarkullimit dhe të automjeteve njëkohësisht si për daljen më shpejtë në treg me prodhimet e tyre bujqësore.
Bashkia e Pogradecit prej muajsh ka nisur ndërhyrjet intensive për përmirësimin e infrastrukturës në zonat rurale.
Përveç ndërhyrjeve në akset nacionale, rrugët rurale kanë qenë prioritet i bashkisë së Pogradecit për të garantuar qarkullimin pa probleme në çdo stinë të vitit. /j.p/r.e/