Mbrojtja e të dhënave dhe siguria në internet, miratohet standardi i ri për përdorimin

TIRANË, 7 korrik/ATSH/ Sot më shumë se kurrë më parë jemi më të lidhur me anë të internetit. Por njerëzit janë të shqetësuar për mbledhjen dhe përdorimin e informacionit personal të identifikueshëm (PII) nga shërbimet e internetit.

Në shumë raste, shqetësimi i njerëzve në lidhje me mbrojtjen e të dhënave në internet vjen, sepse nuk ka sqarim të qartë se si PII përpunohet, ruhet, mirëmbahet dhe menaxhohet.

Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit informon se autoritetet europiane në këtë fushë kanë miratuar një standard të ri që synojnë pikërisht mbrojtjen e të dhënave në internet për qytetarët.

“Standardi i ri ndërkombëtar, i sapo publikuar do të ndihmojë në sjelljen transparente dhe ofrimin e sigurisë së nevojshme nga operatorët e internetit”, bën të ditur kryetari i Komitetit Europian të Standardeve, Andreas Wolf.

Pajisjet me internet mbledhin dhe përpunojnë të dhënat tona personale. Përdorimi i të dhënave në internet është i ligjshëm. Gjithashtu, përdorimi i internetit siguron mundësi fitimprurëse për kompanitë, që përdorin internetin për të shitur produktet dhe shërbimet e tyre.

Nga ndjenja e shqetësimit se “dikush po ju vëzhgon” deri në shitjen flagrante të të dhënave tuaja personale në palë të treta, njerëzit kanë arsye për të qenë të shqetësuar në lidhje me mbrojtjen e privatësisë në internet.

Standardi i ri, i hartuar në bashkëpunimin midis ISO-s dhe komitetit të IEC-së për sigurinë e informacionit, sigurinë në internet dhe mbrojtjen e privatësisë, jep detaje mbi zbatimin e parimeve të caktuara nga ISO/IEC 29100.

Veçanërisht, ai trajton preferencën dhe zgjedhjen (Parimi 1), dhe shpërndarjen, transparencën dhe njoftimin (Parimi 7). /a.gjonaj//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.