Lëvizja e qytetarëve në kufijtë e vendit/ Policia përditëson të dhënat

TIRANË, 7 korrik/ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot për situatën e kufizimeve të lëvizjes së shtetasve në kufi me vendet e tjera, ndërsa theksoi se “për të udhëtuar drejt Shqipërisë kufiri është i hapur për të gjithë shtetasit e huaj apo shqiptarë, sipas rregullave në fuqi”.

Sipas policisë, me Kosovën lëvizja e personave dhe e mjeteve është e lirë, me Malin e Zi mund të lëvizin vetëm personat që posedojnë një dokument të lëshuar nga laboratorët e akredituar të testimit të COVID-19, jo më shumë se 48 orë më parë, ku vërtetohet se rezultojnë negativ në testin PCR.

Policia bën të ditur se edhe me Maqedoninë e Veriut lëvizja e personave dhe e mjeteve është e lirë, ndërsa me Greqinë lejohet kalimi për shtetasit e pajisur me leje qëndrimi dhe ata të pajisur me pasaporta greke, kamionë dhe për rastet të autorizuara nga autoritetet shtetërore greke.

Sa i përket vendeve të tjera të zonës Schengen nuk lejohet lëvizja e lirë e shtetasve shqiptarë, përveç rasteve të konfirmuara nga autoritetet e këtyre vendeve.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.